Gypat e azbestit (ilustrim)

IKSHPK: Furnizimi me ujë nga gypat e azbestit nuk paraqet rrezik për shëndetin

Prania e azbestit në gypat për furnizim me ujë nuk paraqet rrezik për shëndetin e qytetarëve thotë përmes një komunikate Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës.

Sipas Institutit, të dhënat nga hulumtimet e shumta epidemiologjike tregojnë se ekspozimi ndaj azbestit ajror të lëshuar nga uji i rubinetit gjatë dusheve ose spërkatjeve është i papërfillshëm.

“Azbesti është kancerogjen i njohur me anë të rrugës së thithjes/frymëmarrjes. Bazuar në njohuritë e deritanishme shkencore, nuk ka evidencë që ingjestimi (marrja përmes gëlltitjes) i azbestit dëmton shëndetin. Edhe pse është studiuar mirë, nuk ka prova bindëse për kancerogjenitetin e asbestit të ndërlidhur me ujë të pijshëm. Pikërisht për këtë arsye, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) nuk ka përcaktuar vlerë parametrike kufizuese për sasinë e azbestit në ujin e pijshëm”, thotë IKSHPK.

Më tutje, Instituti shpjegon se asbesti ka strukture fijore të gjatë dhe të hollë, si gjilpëra. Kur këto fije/fibra mikroskopike lëvizen nga rrymimet ajrore, ato lundrojnë në ajër dhe mund lehtësisht me frymëmarrje të futen në mushkëri.

“Në shumicën e vendeve të Europës dhe në SHBA janë ende në funksion sasi të konsiderueshme të rrjeteve të ujësjellësit nga gypat e asbest-çimentos dhe nuk ka iniciativa apo programe për zëvendësimin e tyre për arsye shëndetësore. Rrjedhimisht, as Kompanitë Publike të Ujësjellësit në Kosovë nuk kanë nevojë që për arsye shëndetësore të planifikojnë zëvendësimin e gypave të asbest-çimentos” thotë IKSHPK.

Sipas Institutit problemi sa i përket përdorimit të gypave të asbest-çimentos për sistemet e furnizimit me ujë është për personat të cilët i ekspozohen pluhurit të asbestit gjatë punës me këta gypa, për shkak të rrezikut të inhalimit të këtij pluhuri. Ky fakt imponon domosdoshmërinë që Kompanitë Publike të Ujësjellësit të ndërmarrin masat e duhura mbrojtëse për mbrojtjen e shëndetit të punëtorëve të cilët i ekspozohen rrezikut nga pluhuri i asbestit.