Ministria e Shëndetësisë - Foto: KALLXO.com

IKS: Dështimi i Sigurimeve Shëndetësore Tallje me Qytetarët

Iniciativa Kosovare për Stabilitet e ka quajtur papërgjegjësi totale dhe tallje me qytetarët dështimin e kësaj qeverie për realizimin e sigurimeve shëndetësore për qytetarët e Kosovës.

“Edhe qeverisja në ikje dështon në realizimin e sigurimeve shëndetësore publike për qytetarët e Kosovës. Kur në dhjetorin e vitit të kaluar ishte njoftuar dështimi dhe shtyrja e mbledhjes së premiumeve për sigurimet shëndetësore për 1 korrik të këtij viti, nuk kishin munguar justifikimet boshe dhe premtimet po të atilla për gjoja raportet mujore para kryeministrit për ecurinë e procesit e për fushata informimi për qytetarët dhe bizneset”, thuhet në reagimin e IKS-së.

Ky reagim vjen pasi sot qeveria në detyrë e ka shtyrë mbledhjen e premiumeve për sigurimet shëndetësore që ishte planifikuar të fillonin nesër.

“Justifikimet e prezantuara sot në mbledhjen e rregullt të qeverisë janë papërgjegjësi totale dhe tallje e hapur me qytetarët e vendit”, vijon reagimi i organizatës.

Sipas Iniciativës Kosovare për Stabilitet, Ministria e Shëndetësisë dhe ministri në ikje në asnjë rrethanë nuk kanë informuar për qoftë edhe një hap të ndërmarrë, sa u përket çështjeve bazë të parapara me Ligjin për Sigurimet Shëndetësore të miratuar në prill të 2014-ës

IKS thotë se ministri dhe ministria nuk kanë informuar për listën e shërbimeve themelore, listën e barnave, arritjen e marrëveshjeve me farmacitë, krijimin e sistemit elektronik të të dhënave, pajisjen prej më së paku 75% të të siguruarve me kartela sigurimi para fillimit të mbledhjes së premiumeve, etj.

“Funksionalizimi i Fondit për Sigurimet Shëndetësore dhe Sigurimet Shëndetësore vazhdojnë të jenë të pranishme në programet zgjedhore të të gjitha partive parlamentare dhe politikat pasuese qeverisëse, por asnjëherë të shoqëruara me një debat cilësor e përmbajtjesor, me vullnet për realizimin e detyrimeve e përgjegjësive të marra, e aq më pak në ndëshkim dhe konsekuenca ligjore e politike për dështimet që prekin gjithë shoqërinë”, përfundon reagimi i IKS-së.

KALLXO.com shkroi sot për shtyrjen pa afat të mbledhjes së premiumeve nga qeveria në detyrë.

http://kallxo.com/qeveria-shtyn-nisjen-e-mbledhjes-se-premiumeve/

Premiumet janë shuma e dakorduar për blerjen e policave të sigurimit shëndet[sor nga individë, ose organizata.