Suhareka pas vërshimeve, 16 gusht 2018 - Foto: KALLXO.com

IHMK tregon se në cilat komuna të Kosovës mund të ketë vërshime të shpejta

Sektori i Hidrologjisë i Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës këtë të diel paralajmëroi se gjatë ditëve të ardhshme në vend do të ketë vërshime për shkak të reshjeve të mëdha të shiut.

Sipas njoftimit të IHMK vërshimet do të paraqiten nga data 14 maj dhe do të përfshijnë pjesën perëndimore, jugore dhe veriore të Kosovës.

Ndërkaq, Bashkim Kastrati, hidrolog në sektorin e Hidrologjisë dhe Prognozave Hidrologjike nga IHMK, për KALLXO.com, ka dhënë detaje lidhur me këtë paralajmërim.

“Fillimisht nga disa media/portale është keqinterpretuar paralajmërimi, sepse nuk do të ketë reshje të pandërprera për 72 orë ashtu siç është komentuar, por brenda 72 orëve do të bien në disa zona 30-50 mm reshje herë-herë me intensitet të lartë e të cilat mund të shaktojnë vërshime dhe shembje dheu”, ka thënë ai.

Sipas Kastratit kjo situatë nuk është e jashtëzakonshme dhe nuk duhet të krijojë panik në opinion.

“Paralamërimi thjesht është informacion për institucionet dhe opinionin se pritet të ketë vërshime në disa pjesë të Kosovës. Pjesa perëndimore përfshin kryesisht zonën malore (Alpet shqiptare) ku nga këtu burojnë një numër i rrjedhave lumore të cilat kanë karakter të rrëmbyeshëm. IHMK me vëmendje dhe në vazhdimësi është duke e përcjellë situatën dhe opinioni do të mbetet i informuar”, thuhet në përgjigjen e tij.

IHMK thotë se ka kapacitete për të përcjellë situatën sinoptike meteorologjike dhe atyre të rrezikut nga vërshimet.

“Këtë e mbështet me modelet e saja si dhe qasjen dhe shkëmbimin ndërkombetar të informacioneve. Vërshimet në zona të caktuara mund të kalojnë periudhën kthyese 5 vjeçare pra nuk janë të jashtëzakonshme”, thuhet në përgjigjen e tij.

Sa i përket komunave ku pritet të ketë vërshime, Kastrati bën të ditur se për momentin është e vështirë të bëhet parashikim shumë i detajuar.

“Por mund të jenë të përfshira zona nga komunat: Pejë, Deçan, Junik, Prizren, pjesë nga Brezovica, Dragashi. ‘Flash flood’,  janë vërshime të shpejta dhe përfshijë territor të vogël dhe kalojnë shpejt, kryesisht lumenjtë ose rrëketë e vogla malore”, thuhet në përgjigjen e tij për KALLXO.com.

12 Maj 2019 - 20:59

Emirjeta Vllahiu 12/05/2019 - 20:59
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend