Ibrahimi: Sigurimi i objekteve nuk është kompetencë e Inspektoratit të Punës

Mbrëmë pas orës 20:00 në zonën industriale, Prishtinë- Fushë Kosovë u shemb një pllakë e një ndërtimi.

Siç njoftoi Policia e Kosovës, në rrugën “Elez Berisha” në zonën industriale në  Fushë Kosovë, është shembur një pllakë në një ndërtesë e cila  është në ndërtim e sipër.

I kontaktuar nga KALLXO.com, Basri Ibrahimi ka thënë se trupa inspektuese ka dalur mbrëmë në vend të ngjarjes, ndërsa theksoi se përgjegjësia për sigurinë e objekteve janë kuvendi komunal dhe inspektorët komunal.

“Edhe këtu ka të bëjë me Kuvendin Komunal sepse çdo pllakë që qitet ish dashtë të përcillet nga inspektorët komunal ose personat përgjegjës, këto bien në përgjegjësinë e kuvendeve komunale”, tha ai.

Sipas Ibrahimit, nuk është në kompetencën e Inspektoratit të punës as rasti i shembjes së pllakës e as shembja e një pjese të hotelit në Mitrovicë.

“Si në Prishtinë si në Mitrovicë, këto më tepër ka të bëj me sigurinë e objekteve dhe punimet, që nuk është kompetencë e Inspektoratit të Punës”, deklaroi Ibrahimi për KALLXO.com.

Ndërkohë, mbrëmë ka reaguar Komuna e Fushë Kosovës rreth objektit të cilit iu shemb një pllakë. Sipas kësaj komune, objekti i takon Komunës së Prishtinës.

https://kallxo.com/reagon-fushe-kosova-objekti-i-shembur-eshte-ne-territor-te-prishtines/

.