I vërtetohet dënimi babait që mbyti me dru djalin e tij në Gjilan

Gjykata e Apelit, e ke refuzuar si të pa bazuar ankesën e avokatit mbrojtës të të akuzuarit Gani Bërnjashi, kundër aktgjykimit të Gjykatës së Gjilanit, të muajit janar me të cilin i akuzuari ishte dënuar me 25 vjet burgim për vdekjen e djalit të tij 14 vjeçar, pasi e kishte rrahur me dru.

Gani Bërnjashi më 23 maj të vitit të kaluar e ka mbytur me të rrahura djalin e tij 14-vjeçar L.B.

“G.B. është dënuar nga gjykata e shkallës së parë me 25 vjet burgim, si fajtorë për vrasjen e djalit të tij të mitur, tanimë të ndjerit L.B., duke  kryer  kështu veprën penale: “Vrasje e rëndë” nga neni 179 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Apelit.

Gjykata e Apelit vlerëson se aktgjykimi i atakuar nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, gjendja faktike është vërtetuar drejtë dhe në mënyrë të plotë, ndërsa është aplikuar drejt edhe ligji penal.

Në janar të këtij viti Gjykata e Gjilanit e ka dënuar me 25 vjet burgim Gani Bërnjashin, i akuzuar se më 23 maj të vitit të kaluar e mbyti me të rrahura djalin e tij 14-vjeçar L.B.

“I akuzuari me datë 23.05.2018 në fshatin Karaçevë e Poshtme, Komuna e Kamenicës, me dashje eventuale ka privuar nga jeta në mënyrë mizore, djalin e tij, tani të ndjerin L. B. të moshës 14 vjeçare”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

I gjithë rasti kishte ndodhur kur Gani Bërnjashi kishte vërejtur se i kishin munguar një shumë parash (1 mijë e 500 euro), dhe për mungesën e tyre kishte kërkuar sqarime nga djali i tij 14 vjeçar.

Meqë nuk kishte marrë përgjigje nga djali për paratë, Gani Bërnjashi kishte filluar ta godiste me shufër metalike e më pas edhe me një shkop druri në kokë dhe pjesë të tjera të trupit, duke i shkaktuar me këtë rast plagë vdekjeprurëse.

Gjykata ka konstatuar se me këto veprime i akuzuari ka kryer veprën penale vrasje e rëndë.

KALLXO.com kishte raportuar në lidhje me procesin gjyqësor të këtij rasti.

http://kallxo.com/femija-vdes-si-pasoje-e-dhunes-fizike-arrestohet-babai/

https://kallxo.com/25-vjet-burg-per-babane-qe-akuzohet-se-e-mbyti-me-dru-djalin-e-tij-14-vjecar/