Foto: RTV 21

I mbijetoi luftës në mal, por jo asaj mediatike

Dy javë mjaftuan për të mos i mbijetuar presionit të opinionit publik.

Xhezair Shaqiri u largua nga posti këshilltar sigurie i kryeministrit të Maqedonisë.

“Nuk mendoj se ia vlen me u marrë me mediume, me kaq shumë probleme për ta. Plus po afron Ramazani dhe nuk desha me u fut tani në Ramazan në një luftë me mediumet e këtij shteti. Dua të jem i qetë”, tha Shaqiri, shkruan tv21.tv.

Ai kritikon klasën politike shqiptare dhe thotë se askush nuk është kujdesur për fatin e tij. Por nuk frikësohet të debatojë me ta, madje edhe i sfidon.

“Po, do të adresoj kritika pa pardon, nëse kam përballë ndonjë politikan që po më kërcënon, apo po më impresionon me më frikësuar, jo. Besoj se mund të na thirrni edhe në debate me këta politikanët, por ata nuk do të pranojnë të dalin me ne në debat, sepse nuk kanë argumente, argumentet janë në anën tonë”, shtoi Shaqiri.

Komandant Hoxha nuk ka biseduar me kryeministrin për ndonjë detyrë të re, por nuk e përjashton si mundësi. Nuk e ka në plan të kthehet në mal.

“Nuk kemi biseduar me kryeministrin për postet tjera, unë jam këtu, nuk e kam ndërmend me dalë në Tanushë, në mal. Do të jem therrë në sy që e treguan sot se kush janë kundërshtarët e mi, apo hasmit e mi që duan të më mbajnë tërë jetën në mal”, tha ai.

Pas emërimit të tij si këshilltar për çështje sigurie nga ana e kryeministrit Zaev, vijuan kritika të shumta për Hoxhën dhe për pasojë, ai dha dorëheqje.