Ilustrim: REL (Arkiv)

I kthyeri: Në Siri qëndrova në burg

29-vjeçari Agon Misini nga Vitia, i arrestuar para dy ditësh në Aeroportin e Prishtinës,  ka deklaruar para Gjykatës se për dy vite qëndroi i burgosur në Siri.

Ai në deklaratën e dhënë para gjykatësit ka thënë se është mbajtur në burg ndërsa ishte dorëzuar tek organet me qëllim që të kthehet në Kosovë.

Dosja e Prokurorisë sqaron se Misini kishte udhëtuar nga Kosova për në Siri më 2016 ndërsa nuk përcakton se cili ishte roli i tij përkrah ISIS-it.

Dosja sqaron se Agon Misini ka një fëmijë ndërsa kujdeset edhe për 4 fëmijë të tjerë që bashkëshortja e tij i ka me një martesë tjetër.

Tre të dyshuarit për pjesëmarrje në organizata terroriste, Arijan Kryeziu, Visar Qugovci dhe Agon Misini, janë dërguar në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz.

Ata janë dërguar në këtë burg nga njësitë speciale të Policisë pasi që Gjykata e Prishtinës mori vendim që ndaj tyre të caktojë masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Masë e njëjtë i është caktuar dje edhe të dyshuarit tjetër R.T.

https://kallxo.com/video-momentet-kur-specialet-i-dergojne-ne-dyz-te-dyshuarit-per-terrorizem/

Të katërtit janë sjellë të premten në mbrëmje nga Siria, ky dyshohet se kanë luftuar përkrah grupeve terroriste atje.

Ata janë pjesë e 110 personave, kryesisht gra e fëmijë, të cilët janë sjellë nga vatrat e luftës në saje të bashkëpunimit të autoriteteve të Kosovës me vende aleate, sidomos Shtetet e Bashkuara.

Me përjashtim të katër të dyshuarve, të tjerët që erdhën nga Siria po mbahen në Qendrën e Azilkërkuesve në Vranidoll, afër Prishtinës.