Pamje nga Vushtrria

I kthehen paratë personit që u detyrua të shesë viçin për varrimin e nënës

Sabri Beqiri nga Akrshtica e Vushtrrisë, ka thënë për RTK se është detyruar ta shesë një viç për të kryer ritualin e vdekjes dhe varrimit të nënës së tij.

Kushtet jo të mira financiare e kishin detyruar Beqirin që të shesë viçin.

Në lidhje me këtë rast Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri ka thënë se qytetarët e komunës që ai drejton që nga 1 janari i vitit të kaluar, nuk paguajnë për shpenzime të varrimit.

Sipas tij këto shpenzime i mbulon Komuna.

Tahiri me anë të një postimi në Facebook ka shkruar në lidhje me rastin e qytetarit vushtrrias i cili u detyrua të shesë diçka për të bërë varrimin e nënës së tij.

Tahiri gjithashtu për KALLXO.com, ka thënë se asnjë qytetar nuk e ka obligim ligjor të paguajë anëtarësim në Bashkësinë Islame dhe të gjitha ceremonitë e varrimit paguhen nga komuna.

Më poshtë mund të lexoni reagimin e plotë të kryetarit Xhafer Tahiri:

Lidhur me rastin e qytetarit Sabri Beqiri ku pretendohet se i njëjti ka paguar 417 € për varrimin e nënës, sot kam takuar udhëheqësit e Këshillit të Bashkësisë Islame në Vushtrri ku më është sqaruar se komuna ka kryer të gjitha obligimet e parapara.

Gjithashtu në KBI më njoftuan se paratë të cilat i ka paguar qytetari Sabri Beqiri, në emër të anëtarësisë, i janë kthyer pasi është evidentuar si rast skamnor.

Refuzimi i kryerjes së shërbimeve të varrimit për qytetarët, aq më tepër rastet në nevojë është i pa pranueshëm dhe kundër praktikave të bashkësive fetare në Kosovë.

Këto të fundit janë shembulli më i mirë i bashkëjetesës fetare dhe solidaritetit në vend dhe si të tilla duhet të dëshmohen e të çmohen vazhdimisht.

Rasti i Sabri Beqiri dhe afër 100 familje tjera në Vushtrri ndihmohen rregullisht nga KBI me miell dhe pako tjera ushqimore në kuadër të programeve humanitare.

Si duket deri te mos marrëveshja për pagesën prej 417€ ka ardhur për shkak të moskomunikimit të duhur qytetar-KBI.

Komuna e Vushtrrisë gjithnjë do të mbetet në shërbim të qytetarëve dhe të ofroj përkrahje pa rezervë brenda mundësive që ka.

Në lidhje me rastin e njejtë ka reaguar edhe Bashkësia Islame e Kosovës.

Sipas reagimit,  “Asnjë qytetar i Vushtrrisë nuk paguan për shpenzime të varrimit, e për më tepër Bashkësia Islame nuk ka ndodhur asnjëherë që të refuzojë shërbimet e varrimit të ndonjë qytetari për mos pagesë, aq më tepër te rastet skamnore”.

Edhe BIK-u thotë se shpenzimet e ritit të varrimit për çdo qytetar që nga janari 2018 i mbulon Komuna e Vushtrrisë.

“Sqarojmë opinionin se anëtarësia është çështje e ndarë nga shpenzimet e varrimit. Si çdo kund në botë edhe tek ne paguhet si anëtarësia si shpenzimet e varrimit. Për më tepër qytetari Sabri Beqiri ndihmohet rregullisht nga KBI dhe imamët me ndihma mujore materiale e ushqimore. Për këtë kemi dëshmi dhe janë të çasshme nga secili që ka interesim”, thuhet në sqarimin e BIK-ut.