Ilustrim

I kërkuar ndërkombëtarisht, arrestohet miku i zv/kryeministrit Enver Hoxhaj

Imer Shahini, vëllai i gruas së zëvendëskryeministrit Enver Hoxhaj, Remzije Shahini është arrestuar gjatë ditës së djeshme pas një urdhër arresti ndërkombëtar.

Burime të KALLXO.com tregojnë se Imer Shahini është arrestuar pasi ka pasur një urdhër arrest ndërkombëtar për të nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Policia me anë të raportit ditor ka njoftuar se një person është arrestuar në Pikë Kalimin Kufitar Glloboqicë.

Në anën tjetër burime brenda Ministrisë së Drejtësisë kanë thënë për KALLXO.com se ende nuk kanë marrë kërkesë nga ana e Gjykatës kompetente për ekstradimin e Shahinit.

Urdhër arresti ndaj Imer Shahinit është bërë nën dyshimet se i njëjti ka përfituar një vlerë të madhe të parave në mënyrë të jashtëligjshme në Amerikë.

Në një shkrim të shtatorit të vitit 2015, FBI me anë të një shkrimi  kishte treguar se Imer Shahini së bashku me gjashtë persona të tjerë po  kërkoheshin nën dyshimin se të njëjtit kishin përfituar miliona dollarë në mënyrë të kundërligjshme.