Liridon Kabashi - Foto: REL

I huaj në Siri, i huaj në Kosovë

Liridon Kabashi, në vitin 2013 kishte braktisur Kosovën për t’iu bashkuar ​luftës së grupit militant, Shteti Islamik në Siri.

Ai ishte kthyer në Kosovë pas tre muajve, ku edhe u dënua dhe vuajti një dënim me burgim prej 14 muajsh. Tani, ai është liruar nga burgu, por nuk e fsheh që në qytetin e tij ku u lind dhe u rrit, në Skënderaj, njerëzit e shohin ndryshe.

Kabashi, kosovari i parë që pas vuajtjes së dënimit me burg për pjesëmarrje në luftën në Siri u lirua për t’iu kthyer jetës normale, rrëfen për Radion Evropa e Lirë se me çfarë problemesh po përballet në botën jashtë grilave.

“Më shikojnë më flasin, por nuk e di a frikësohen nuk e di nuk mundem t’i kuptoj janë më ndryshe. Para se të shkoj në Siri dhe me pas në burg ndryshe kam folur me shoqërinë qoftë nga qyteti ose në fshat, por tani janë më të ngurtë”.

“Ku ta di ndoshta mendojnë se po i dëmtoj ndonjë gjë në jetën e tyre apo po e dëmtoj imazhin e tyre. Por, jo unë jam Liridoni mundohem t’i respektoj të gjithë dhe t’i ndihmojë të gjithë”, thotë ai.

Kabashi kishte shkuar në Alepo të Sirisë në moshën 24 vjeçare me qëllimin që t’iu bashkohet forcave opozitare siriane. Por, ishte tërhequr nga ky plan pak kohë pasi kishte mbërritur atje.

Shtatë vitet e fundit, ai i kaloi duke u marrë me pasojat e këtij vendimi.

Më 20 maj të vitit 2016, Gjykata Themelore në Ferizaj e dënoi Kabashin me tre vite burg për veprat penale të rekrutimit për terrorizëm dhe pjesëmarrjes në grup terrorist.

Një vit të dënimit tre vjeçar, Kabashi e kaloi në arrest shtëpiak para dërgimit në burg ku qëndroi për 14 muaj për t’u liruar më 10 maj, tre muaj para datës së paraparë, të cilat iu falën nga Gjykata për shkak të sjelljes së mirë.

Derisa kohën në burg e përshkroi si të rëndë, ai flet edhe për një vrull emocionesh pozitive në ditën e lirimit nga burgu.

“Nganjëherë kur të jesh në burg vjen një mosbesim mendon se kurrë nuk do të dalësh nga burgu ose do të vdesësh në burg, janë disa mendime të këqija. Kam pasur në plan të vi në këmbë nga burgu në shtëpi, por familjarët e kuptuan që lirohem në atë ditë dhe erdhën më morën”.

“Ishte një ndjenjë e papërshkueshme, vetëm ata të cilët dalin nga burgu e kuptojnë atë ndjenjë dhe si është të dalësh. Të vjen të bërtasësh pa fund, të vraposh. Nga pika zero deri te rruga kryesore i ka afro 3 kilometra, unë kam dal duke vrapuar e duke bërtitur”, thotë ai.

Kabashi tha se ka bërë paqe me të kaluarën e tij, ndërsa u shpreh i vendosur për të filluar një jetë të re larg çdo gjëje që ka të bëjë me të ashtuquajturin Shteti Islamik.

“Tash pas muajit të Ramazanit do të fillojë punën si dizajner me vëllain aty ku kam punuar para se të shkojë në burg”

Por, ri-integrimi në shoqëri duket të jetë një sfidë e madhe për të. Ai i tha Radios Evropa e Lirë se ndihet i braktisur nga institucionet shtetërore sikurse nga ato fetare në Kosovë.

*Rëfimi i të rinjve të kthyer nga Siria – Video nga arkivi

“Jam liruar afër tre javë, por deri më tani askush nuk më ka thirr askush as nga Bashkësia Islame as nga shteti. Kam pritur që të më thërrasin të flas më ta. Të gjithë e dinë që jam këtu e din që jam liruar dhe jam në Polac, por nuk e di arsyen pse nuk po më thërrasin”.

“Pak shpirtërisht më kishin ishin qetësuar, njeriu tani ndihet fajtor, tash shteti është kundër teje, por edhe Bashkësia Islame është kundër, po ashtu ka njerëz të cilët të kundërshtojnë është një rrugë me shumë probleme”, tregon Kabashi.

Që nga rasti i parë i shkuarjes së qytetarëve të Kosovës në luftën në Siri dhe Irak, në vitin 2012, e deri më tani, janë regjistruar mbi 300 luftëtarë nga Kosova që kanë shkuar në atë zonë për të luftuar për Shteti Islamik.

Mbi 70 persona janë vrarë, por shumë gra dhe fëmijë vazhdojnë të mbesin në atë zonë.

Rreth 150 prej atyre që shkuan për të luftuar në ato vende, janë në ndërkohë në Kosovë për t’u përballur me procese gjyqësore që në disa raste çuan në dënime me burg. Disa prej tyre tashmë janë duke vuajtur dënimet.

Në kuadër të masave për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm fetar që shpie në terrorizëm, Kosova hartoi në vitin 2015 një ligj që sanksionin pjesëmarrjen në luftërat e huaja me dënime deri në 15 vite burgim.

Qeveria e Kosovës po ashtu pati miratuar Strategjinë Nacionale për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që shpie në Terrorizëm, ndërsa së fundi vendosi që të angazhojë edhe imamë në de-radikalizimin e të dënuarave për veprën penale të terrorizmit nëpër burgje. Imamët që janë përzgjedhur nga Bashkësia Islame e Kosovës do të kalojnë nëpër verifikim, i cili bëhet nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë.

Por, Kabashi tha se nuk ka parë tendenca për radikalizim fetar në burgun e Dubravës ku, sipas tij, ndalohej edhe leximi i librave me përmbajtje fetare.

“Shumica (nga të burgosurit) më thoshin a ke ndonjë libër, ose merre ndonjë libër nga shtëpia dhe na sjell neve të na lexojmë, por mua nuk më kanë lejuar librat e fesë islame të hynë në burg kam pasur probleme me i fut brenda libra të fesë islame. Në çdo vizitë ke pasur të drejtë nga tre libra por nuk më kanë lejuar”, tha ai.

Edhe pse përgjatë dy viteve të fundit nuk u raportua për asnjë rast të kosovarëve që iu bashkua luftës së Shtetit Islamik në Irak apo Siri, autoritetet në vend kanë hartuar programe speciale për t’ju lehtësuar ri-integrimin atyre që janë kthyer nga ato luftëra.

Zbatimi i këtyre planeve do të jetë jetik nëse Kosova do që qytetarët e saj të dënuar për pjesëmarrje në luftëra të huaja të mos kthehen më atje. (REL)