I dyshuari për vrasjet në Brekovc shtrohet në spital

Disa orë pas vrasjes në Brekovc, KALLXO.com mere vesh se i dyshuari kryesor është shtrirë në spitalin e Gjakovës pasi nuk është në gjendje të mirë shëndetësore. Prokurori Ali Uka i cili është duke hetuar rastin i ka thënë KALLXO.com se i dyshuari është në spital pasi nuk ndihet mirë

“I dyshuari për momentin gjendet në Spitalin Rajonal “Isa Grezda” për shkaqe shëndetësore dhe për këtë arsye seanca e paraburgimit me gjasë do të mbahet nesër” ka thënë prokurori Uka.

40 vjeçari dyshohet se mbrëmë qëlloi për vdekje ish gruan dhe vajzën 9 vjeçare.

KALLXO.com raportoj se brenda pesë orësh Policia e Kosovës nuk kishte arritur ta identifikonte vendndodhjen e njeriut i cili po e kërcënonte  ish gruan e tij. Në raportet zyrtare të siguruara nga KALLXO.com viktima ishte ankuar në ora 16 00 në  polici se po kërcënohej nga ish  bashkëshorti i saj.

Në një përgjigje zyrtare për KALLXO.com Policia e Gjakovës ka konfirmuar se ishte e njoftuar për kërcënimin por nuk kishte arritur ta identifikonte vendohen e dorasit.

“Në ora 16:00 viktima ka raportuar se është kanosur nga i dyshuari. Policia i janë përgjigjur rastit, kanë ndërmarrë veprimet operative duke e kërkuar të dyshuarin në shtëpinë e tij dhe në lokacione të ndryshme, është tentuar të kontaktohet edhe përmes telefonit por i njëjti nuk është paraqitur” ka thënë Lirie Podrimja zyrtare për informim në Policinë e Kosovës. Ajo nuk ka dhënë detaje pse shtëpia e viktimës nuk është vënë nënë mbikëqyrjen e policisë.

Të dhënat e siguruara deri më tani nga KALLXO.com flasin se qifti kishin probleme në të kaluarën

Detajet për këtë janë konfirmuar nga kryeprokurori i Gjakovës Ali Selimaj. “Viktima është ankuar në polici për kërcënimin policia ka shkuar në shtëpinë e të dyshuarit dhe ka tentuar ta kontaktoj por ka qenë e pamundur” ka thënë Selimaj.

Ai ka shtuar se dorasi është person i njohur për prokurorinë dhe ishte i njohur pasi ndaj tij ka një procedurë penale.

Selimaj ka përgënjeshtruar lajmet se i dyshuari ishte liruar dje nga paraburgimi. Në një bisedë për KALLXO.com Selimaj ka konfirmuar se i dyshuari ishte në paraburgim nga data 12 maj deri në 6 qershor të këtij viti dhe ndaj tij ka një aktakuzë për dhunë në familje e cila është dorëzuar në gjykatë.

Në rrethana ende të pasqaruar një 40 vjeçare dhe vajza e saj u qëlluan për vdekje mbrëmjen e datës 7 gusht. Dorasi dyshohet të jetë bashkëshorti i 40 vjeçare. Qifti jetonin të ndarë prej disa muajsh dhe kishin pesë fëmijë dy prej të cilëve jetonin me të atin dhe tre me nënën.

Viktima siç mëson KALLXO.com është me prejardhje nga Tropoja ndërsa jetonte nga paslufta me familjen e saj në Gjakovë.