I dyshuari për vrasjen e Agonis Tetaj kërkon lirimin nga burgu

Me pak fjalë i dyshuari për vrasjen e Agonis Tetaj ka kërkuar nga Gjykata të lirohet nga paraburgimi.

Shaban Gogaj në fjalën e tij para gjykatës ka përkrahur fjalën e mbrojtësit të tij i cili ka kërkuar që gjykata të caktoj një masë të arrestit shtëpiak për Gogajn.

“E përkrahi fjalën e mbrojtësi tim”, ka qenë citati i shkurtër i Gogajt i shkruar në procesverbalin e gjykatës.

Në seancën për caktimin e paraburgimit avokati Gëzim Baloku ka kërkuar lirimin e klientit të tij nga paraburgimi.

“Mendoj që prokuroria së pari është ngutur në kualifikimin e veprimeve të të dyshuarit, kur e ka kualifikuar si vrasje e rëndë. Këtë e them për shkak se duke marrë parasysh lajmin e parë në media, që ka qenë vrasje aksidentale, këto të dhëna në media i kanë dhënë organet policore. Ne i propozojmë gjykatës që të dyshuarit t’ia caktojë masën e arrestit shtëpiak pasi që është mjaft e rëndë dhe e pengon ndikimin në dëshmitar”, tha mbrojtësi Gëzim Baloku.

Përfundimisht as deklarimeve Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditë ndaj të dyshuarit Shaban Gogaj.

Shaban Gogaj dyshohet se dy ditë me parë në lokalin e tij në Deçan e privoi nga jeta punëtorin Agonis Tetaj.

Sipas prokurorisë, më 23 shtator 2018, në lokalet e kompanisë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj me dashje e ka privuar nga jeta Agonis Tetajn, dhe ka vënë në rrezik persona të tjerë.

Më herët Prokuroria kishte kërkuar caktimin e masës se paraburgimit ndaj Shaban Gogaj, të akuzuarit për vrasjen e Agonis Tetaj, dy ditë më parë në Deçan.

Prokuroria kërkesën e ka mbështetur mbi dyshimet se i dyshuari mund ta pengojë rrjedhën normale të procedurës hetimore dhe të ndikoje në dëshmitarë pasi që “shumica janë punëtorë të tij”.

Prokuroria pretendon gjithashtu se i dyshuari Gogaj mund të fshehë prova.

Gjithashtu prokuroria pretendon se raportet ndër-familjare janë të acaruara pas vrasjes së të shtunës dhe “mund të vijë deri te kryeja e ndonjë vepre tjetër penale”.

Shaban Gogaj dyshohet se më 23 shtator 2018, në lokalet e kompanisë “Gogaj AG”, me dashje e ka privuar nga jeta Agonis Tetajn, dhe ka vënë në rrezik personave të tjerë.

Sipas prokurorisë, i dyshuari menjëherë pasi kishte marrë një telefonatë, kishte shkuar te sirtari në zyrë, e kishte marrë pistoletën, dhe pasi e kishte futur fishekun në tytë, e kishte qëlluar në kokë tani të ndjerin Agonis Tetaj.

Ai po ashtu dyshohet për armëmbajtje pa leje, pasi që gjatë kontrollit të policisë në sirtarin në fjalë janë gjetur 2 armë të cilat kanë rezultuar se janë pa leje.