I dyshuari për krime lufte mbetet në paraburgim

Gjykata e Apelit e Kosovës, e ka lënë në fuqi masën e paraburgimit prej një muaji për të pandehurin D.S, i dyshuar për krime lufte. Gjykata nuk e ka treguar emrin e të dyshuarit.

“D.S. po dyshohet nga ana e prokurorisë, se ka kryer veprën penale ‘Krime lufte kundër popullsisë civile’ sipas nenit 142 lidhur më 22 të Kodit penal të RSFJ-së, aktualisht e paraparë me nenin 153 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe aktet ndërkombëtare të zbatueshme në vend”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Gjykata e Apelit.

Gjykata e la lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë, duke e refuzuar ankesën e avokatit të tij mbrojtës, kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të datës 07.05.2018.

“Gjykata e Apelit, gjen se gjykata e shkallës se parë, ka dhënë arsye të mjaftueshme, mbi bazën ligjore për të cilën ka caktuar masën e paraburgimit ndaj tij, konform dipspozitave te nenit 187 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës se Kosovës”, thuhet në komunikatën e Gjykatës së Apelit.