Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

I dyshuari për krime lufte Dejan Sllaviq, është liruar nga paraburgimi

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka liruar nga paraburgimi Dejan Sllaviqin, i cili dyshohet se në fshatin Krushec të Obilqit ka bërë krime lufte në Kosovë.

Lajmin për KALLXO e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi.

“Ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë- Departamenti për Krime të Rënda, me dt. 30.05.2018 ka pranuar kërkesë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, për ndërprerjen e paraburgimit kundër të pandehurit D.S, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale Krimet e luftës kundër popullatës civile, e paraparë dhe e dënueshme sipas nenit 142 dhe 22 të Kodit Penal të RSFJ, aktualisht e penalizuar me nenet 31 dhe 153 të KPRK-së, andaj gjyqtari i procedurës paraprake jashtë seancës ka marr aktvendim dhe ka aprovuar propozimin e Prokurorit Special të Republikës së Kosovës për ndërprerjen e paraburgimit, pasi që sipas Prokurorit Special të Republikës të Kosovës kanë pushuar shkaqet për qëndrimin e  mëtutjeshëm të të pandehurit në paraburgim, duke propozuar që ndaj të njëjtit të ndërpritet  masa e paraburgimit dhe i njëjti të lirohet në mbrojtje në liri”, thuhet në përgjigjet e Gjykatës së Prishtinës.

Dejan Sllaviq, i cili deri në vitin 2003 kishte jetuar në Obiliq, ndërsa tani jeton në Llazarevc të Serbisë, është arrestuar në pikën kufitare në Jarinë më 5 maj dhe atij ishte caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.