Ilustrim

I dyshuari për fajde në grupin e 'Currit' është dërguar në QKUK

I ndaluar nga Policia që nga 20 maji nën dyshimin për fajde e detyrim, Mentor Maqani do të duhej të ishte në paraburgim.

Mirëpo, siç merr vesh KALLXO.com, ai ka disa ditë që nuk është në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, ku është përcaktuar të qëndrojë.

Burimet thonë se Maqani është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për shkak të një problemi shëndetësor që i është shfaqur disa ditë pasi ndaj tij u vendos që të mbahej në paraburgim.

Lidhur me rastin e tij, KALLXO.com ka kontaktuar Shërbimin Korrektues të Kosovës.

Këta të fundit konfirmojnë se Mentor Maqani nuk është duke qëndruar në Qendrën e Paraburgimit por në QKUK.

“I paraburgosuri, Mentor Maqani, sipas udhëzimit të mjekut, me datë 05.06.2019 është dërguar në Kliniken Abdominale të ShSKUK-së,  ku edhe është ndalur për hospitalizim”, ka thënë për KALLXO.com zëdhënësi i ShKK-së, Florent Gashi.

Tutje ai ka treguar se Mentor Maqani që nga dita e sotme sipas udhëzimeve të mjekut është transferuar nga Klinika Abdominale në Klinikën e Endokrinologjisë.

Në lidhje me shkaqet se pse Maqani po qëndron në QKUK, KALLXO.com ka kontraktuar drejtoreshën e Repartit të Endokrinologjisë, Venera Berisha.

Ajo tha se nuk mund të japë ndonjë përgjigje për shkak se është në pushim për shkak të një rasti familjar.

Mentor Maqani është pjesë e grupit të drejtuar nga Ismet Osmani, i njohur si Curri.

Në këtë grup bëjnë pjesë edhe Ilir Bojku e Adil Thaqi.

Ata janë arrestuar më 20 maj nën dyshimin për fajde, mashtrim dhe detyrim.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast.

https://kallxo.com/prokuroriaismet-osmanit-curri-i-mori-shtepine-viktimes/

https://kallxo.com/ish-kryeprokurori-i-speciales-mbron-currin-ishte-konsultuar-per-rastin/

www.kallxo.com