Seanca gjyqesore ndaj tre te dyshuareve

I dyshuari e lut gjykatësin: Mos ma humb dasmën

Prokuroria Themelore në Pejë ka kërkuar paraburgimin ndaj të dyshuarve Kushtrim Hysenaj, Ilir Hysenaj dhe Ilir Rakla, të dyshuar për incidentin në të cilën mbetën të plagosur 2 persona në diskotekën ‘Arthurs Club’ në Pejë.

https://kallxo.com/plagosja-ne-peje-ne-video/

Prokuroria fillimisht tha se kanë marrë aktvendim për fillimin e hetimeve.

“Prokuroria ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve, kundër Kushtrim Hysenit për shkak se dyshohet se 29.07.2018, rreth orës 1 e 10, ka tentuar ta privoje nga jeta, Luigj Shala, ashtu që i pandehuri ka nxjerrë armën dhe ka shtënë 4 herë në drejtim të viktimës, me ç`rast i njëjti ka mbetur i lënduar, si dhe për veprën penale armëmbajtje pa leje, si dhe kundër Ilir Hysenaj dhe Ilir Rakla për veprën penale pjesëmarrja në rrahje”, tha prokurorja Sahide Gashi.

Prokurorja kërkoi masën e paraburgimit ndaj të dyshuarve me arsyet se i ka vlerësuar të gjitha masat tjera, por masa adekuate është paraburgimi.

“Prokuroria ka vlerësuar se ekzistojnë rrethana të mjaftueshme që të pandehurit të ndikojnë në dëshmitarë, t`i pengojnë hetimet, si dhe duke pas parasysh mënyrën se si është kryer vepra, rrethanat e acaruara me viktimat, ekziston rreziku permanent se mund të përfundojë veprën penale, si dhe duke i pasur parasysh të dhënat e të kaluarës kriminale, rezulton se të pandehurit Ilir Rakla dhe Ilir Hyseni janë recidivist, gjë që e forcon bindjen e prokurorisë për caktimin e masës. Prokuroria ka pasur parasysh edhe masa tjera me të buta, por ka vlerësuar se është e nevojshme masa e paraburgimit”, tha prokurorja në kërkesën e saj.

Kërkesën për paraburgim e kundërshtuan mbrojtësit e të akuzuarve.

Mbrojtësi i të akuzuarit Kushtrim Hysenaj, avokati Muharrem Hoti, tha se i mbrojturi i tij është viktima e këtij rasti dhe se nuk duhet që t`i caktohet paraburgimi.

“Konsideroj se pas shikimit të video incizimeve nga ana e gjykatës do të vërtetohet gjendje tjetër, pasi që i mbrojturi im është viktimë dhe se është e pa kuptimtë vendosja e masës së paraburgimit ndaj tij, si dhe në rast se gjykata e vlerëson, atëherë do të ishte e pranueshme ndonjë masë tjetër”, tha avokati Muharrem Hoti.

Mbrojtësi i të akuzuarit Ilir Rakla,  avokati Bujar Berdyna, po ashtu kërkoi një masë me të butë.

“I mbrojturi im dyshohet për një vepër me të lehtë penale, e cila dënohet me gjobë dhe burg deri në 3 vite, andaj është e pa kuptimtë që masa më e rëndë, ajo e paraburgimit të vendoset ndaj tij”, tha avokati Bujar Berdyna.

Paraburgimin e kundërshtoi edhe mbrojtësi i të akuzuarit Ilir Hysenaj, avokati Zeqir Berdyna.

“I mbrojturi im po dyshohet për një vepër me të lehtë penale, siç është ajo e pjesëmarrjes në rrahje, e po ashtu pas disa ditësh me datë 11 gusht do të martohet andaj e lus gjykatën që të ketë parasysh dhe ndaj tij të caktojë një masë me të butë”, tha avokati Berdyna.

I dyshuari Ilir Hysenaj në fjalën e tij luti gjykatën që të mos ia humbasë dasmën.

“Aman veç dasmën mos ma hupni”, deklaroj i dyshuari Ilir Hysenaj.