I dhanë leje për fermë, biznesmeni ndërtoi kamp-shtëpiza ‘Crazy Love’

Në vitin 2014, në rrugën magjistrale Prizren – Nashec kishte filluar ndërtimi i kamp – shtëpizave të quajtura “ Crazy Love”.

Për këtë ndërtim nuk u dha asnjëherë leje ndërtimi.

Xhavit Bytyqi pronar i kamp – shtëpizave që gjenden në dalje të Prizrenit, në vitin 2014, kishte aplikuar për leje ndërtimi për Fermë pranë Drejtorisë së Urbanizmit në Prizren

Drejtoria e Urbanizmit në Prizren të njëjtit i kishte lëshuar lejen e kërkuar por meqë nuk kishte mundur të zhvillonte këtë afarizëm, investitori kishte vendosur të ndërrojë destinimin dhe kishe filluar të ndërtonte kamp shtëpiza apo pushimore që sot mbajnë emrin
“ Crazy Love “

Këtë deklarim investitori Xhavit Bytyqi e ka dhënë në prokurori me datën 19 shkurt të vitit 2019, gjatë marrjes në pyetje në cilësi të dëshmitarit.

Ai kishte theksuar se për kamp-shtëpizat ka leje të punës por jo leje ndërtimi.

Prokuroria e Prizrenit për këto kamp – shtëpiza akuzon inspektorin komunal Bashkim Krasniqi, për mos rrënimin e tyre përkundër faktit që për to i njëjti inspektor ka lëshuar vendimpër rrënim.

Dëshmitari Xhavit Bytyqi në prokurori gjithashtu kishte deklaruar se për ndërtimin e kamp – shtëpizave “ Crazy Love “ , drejtoria e Urbanizmit nuk i kishte lëshuar leje ndërtimi, për çka edhe kishte pasur pengesa me inspektoratin e ndërtimit, por në fund disi ia kishte arritur të fillojë punën me këtë afarizëm.

Inspektorati i Ndërtimit kishte kërkuar nga i njëjti që të rrënojë objektin detyrimisht, por sipas dëshmitarit Bytyqi edhe vet inspektorati kishte dalur në vend të ngjarjes por nuk i kishin rrënuar objektet në fjalë.

Sii pasojë e ndërtimit pa leje, investitori ishte gjobitur me gjobë nga Gjykata.

Gjykimi ndaj inspektori të akuzuar Bashkim Krasniqi ka dështuar të fillojë, pasi që në seancën e parë të akuzuarit nuk i kishte ardhur mbrojtësi i tij.

Kryetarja e trupit gjykues Ajser Skenderi,  në mungesë të avokatit Driton Shehu, ka shtyrë gjykimin ndaj inspektori për datën 11 shtator, pasi që avokati Driton Shehu nuk kishte paralajmëruar gjykatën për mosardhje e tij.

Inspektori Komunal Bashkim Krasniqi po akuzohet se përkundër që ka lëshuar njoftim në vitin 2014, për ekzekutim të dhunshëm, rrënim të kompleksit hotelier – shtëpizave ‘’Crazy Love‘’ që gjenden në rrugën Prizren – Nashec,  Bashkim Krasniqi në cilësi të Inspektorit nuk e ka  bërë ekzekutimin edhe pse ka qenë i detyruar.

Kallxo.com në fund të muajit Mars  ka raportuar për ngritjen e aktakuzës ndaj inspektorit në Prizren.

Në aktakuzën e Prokurorisë së Prizrenit, thuhet se që nga viti 2014 e deri në këtë periudhë objekti në fjalë nuk posedon leje ndërtimi, pra i akuzuari Bashkim Krasniqi që nga ajo kohë kur ka lëshuar njoftim për ekzekutim të rrënimit në vitin 2014, e deri më sot nuk ka marrë asnjë masë për zbatimin e procedurave që i takojnë  kur një objekt nuk është i pajisur me leje ndërtimi.

Kallxo.com ka raportuar  për aktakuzat ndaj inspektorëve të ndërtimtarisë.

Pos Bashkim Krasniqi, edhe dy inspektorë tjetre po përballen me aktakuza për keqpërdorim të detyrës apo pozitës zyrtare.

Nexhmedin Musliu por përballet me dy aktakuza për keqpërdorim të detyrës së tij zyrtare.

Ndërsa inspektori Enver Bytyqi  po akuzohet se nuk pengoi ndërtimin e objektit 13-katësh .

https://kallxo.com/inspektori-komunal-akuzohet-se-nuk-e-pengoi-ndertimin-e-objektit-13-katesh/