Arkiv

I dënuari për mashtrim në detyrë në kontratën e UP-së shkon në vuajtje të dënimit

Rreth 5 muaj pasi që Gjykata e Apelit ashpërsoi aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës me të cilin Albert Rakipi dhe Hakif Veliu ishin gjetur fajtorë, nga dy të akuzuarit për mashtrim në detyrë në lidhje me përkthimin e librave të për nevoja të Universitetit të Prishtinës, njëri ka përfunduar në vuajtje të dënimit ndërsa për tjetrin është lëshuar urdhëresë nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, Enver Hasani në cilësinë e rektorit të Universitetit të Prishtinës, Hakif Veliu si shef i prokurimit në UP dhe Albert Rakipi si drejtor i Institutit për Studime Ndërkombëtare – ISN, akuzoheshin se kanë kryer veprën penale të mashtrimit në detyrë.

Me aktgjykimin e 17 tetorit të vitit të kaluar  Gjykata Themelore e Prishtinës i kishte gjetur fajtor të akuzuarit dhe Enver Hasanin e kishte dënuar me 1 vit burg me kusht ndërsa Veliu e Rakipi ishin dënuar me nga 6 muaj burg, dënim ky që u ishte konvertuar me nga 10 mijë euro gjobë secilit.

Rreth 8 muaj më vonë, duke vendosur sipas ankesave, Gjykata e Apelit e kishte liruar nga akuza Enver Hasanin, ndërsa kishte ashpërsuar dënimin për dy të akuzuarit e tjerë duke ju rritur dënimin në nga 1 vit burg.

Rreth 5 muaj pasi që Gjykata e Apelit njoftoi se ka vendosur në lidhje me këtë rast, Hakif Veliu ka përfunduar në vuajte të dënimit ndërsa për Albert Rakipin është lëshuar urdhëresë.

Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi, Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

“Lidhur me kërkesën tuaj ju njoftojmë se i dënuari H.V është arrestuar dhe dërguar në Qendrën Korrektuese në Dubravë me dt. 25.09.2018, në vuajtje të dënimit me burg në kohëzgjatje prej 1 viti, të shqiptuar sipas aktgjykimit të  Gjykatës së Apelit të Kosovës, PAKR.nr.27/18”, thuhet në përgjigjen e zëdhëneses së Gjykatës Themelore të Prishtinës për KALLXO.com.

Përderisa Veliu ka shkuar në vuajtje të dënimit, në lidhje me të akuzuarin tjetër Albert Rakipi situata është më e komplikuar.

“Sa i përket të dënuarit tjetër A.R, i njëjti sipas Aktgjykimit PKR.nr.432/15, vendbanimin e ka në Republikën e Shqipërisë, në bazë të kësaj Gjykata i ka dërguar Urdhëresën për tu lajmëruar në vuajtje përmes Ministrisë së Drejtësisë”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore të Prishtinës pa sqaruar për rrjedhën e mëtejme të kësaj çështjeje.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me avokatin që ka përfaqësuar Veliun gjatë procesit gjyqësor, Skender Musa, por i njëjti ka thënë se nuk e përfaqëson më Veliun ndërsa KALLXO.com nuk ka arritur të ketë një kontakt të avokatit të Veliut apo eventualisht të ndonjë avokati që ka angazhuar ai.

KALLXO.com përmes telefonit ka bërë përpjekje të kontaktoj edhe me avokatin Gazmend Nushi i cili tha se i mbrojturi i tij nuk ka shkuar në vuajtje të dënimit pasi që palët kanë paraqitur kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë.

Avokati Nushi po ashtu tha se nuk ka ndonjë njoftim se a e ka pranuar Albert Rakipi me urdhëresën e Gjykatës Themelore të Prishtinës por tha se është i bindur se sikur ta kishte pranuar do ta njoftonte.

“z. Rakipi është shtetas i huaj andaj lidhur me arsyet e mosfillimit të vuajtjes së dënimit përgjigjen duhet t’ju ofron vet Gjykata apo edhe institucionet tjera të cilat janë të autorizuara dhe kompetente për ndërmarrjen e veprimeve specifike kur bëhet fjalë për nënshtetasit e huaj, e jo unë”, tha Nushi për KALLXO.com

KALLXO.com deri në momentin e publikimit të shkrimit nuk ka arritur të gjejë ndonjë kontakt të z. Albert Rakipi.

Sipas Kodit të Procedurës Penale të Kosovës në momentin kur nuk mund të ushtrohet ankesë ndaj vendimit të Apelit vendimi merr formën e prerë dhe duhet të ekzekutohet.

Ky është njëri nga rastet e shënjestruara për liberalizim të vizave.

KALLXO.com e kishte përcjellë këtë proces gjyqësor në vazhdimësi. Raportimet nga ky proces mund t’i gjeni në këtë link.