Gjykimi i Sahit Hotit - Foto: KALLXO.com

I dëmtuari nuk kërkon kompensim nga sportelisti i Postës së Malishevës

Në gjykimin e Sahit Hotit, sportelistit të Postës në Malishevë, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, sot janë dëgjuar dy dëshmitarë.

Hoti po akuzohet nga Prokuroria se e kishte vonuar dorëzimin e një dokumenti, e në këtë rast debitorit- këtu të dëmtuarit Naim Sopaj i ishte bërë i pamundur kundërshtimi ndaj urdhrit përmbarimor.

Dy dëshmitarët, punëtorë në Postën e Malishevës, në deklarimet e tyre thanë se këtu i akuzuari Sahit nuk ka bërë asnjë shkelje ligjore.

Duke u përgjigjur në pyetjen e kryetarit të trupit gjykues Gëzim Pozhegu, dëshmitari Lulzim Krasniqi ka deklaruar se i akuzuari Sahit Hoti nuk ka bërë asnjë shkelje lidhur me dërgimin e postës nga Malisheva në Prishtinë.

“Pasi që ne kemi rregulloren e brendshme ku është e cekur edhe afati i dërgimit të dërgesave, pra afati për dorëzimin e dërgesave në destinacionin e caktuar brenda Kosovës është 5 ditë”, tha dëshmitari Krasniqi.

Në gjykimin e sotëm nuk ishte prezent përmbaruesja private Saranda Kuqi, e cila ishte e thirrur në cilësinë e dëshmitares.

Në gjykimin e sotëm ka dhënë dëshminë e tij edhe dëshmitari Ismajl Telaku, i cili është punëtor i Telekomit të Kosovës.

Dëshmitari Telaku ka thënë që i akuzuari Hoti nuk ka pasur autorizim për vendosjen e vulës dhe të pullës postare, por i njëjti ka pasur për detyrë të bëjë vetëm pranimin e shkresave.

Ndërsa i dëmtuari këtu Naim Sopaj tha se dokumentin e ka dorëzuar me datë 15, ndërsa afati i fundit për dorëzim ka qenë më 18 shtator 2017.

Po ashtu, në dëshminë e tij Telaku tha se janë personat e caktuar të cilët janë të pajisur me pullë postare dhe me vulë, pasi që në këtë rast çështja ka të bëjë me datën kur është vendosur vula e postës.

Këtu i dëmtuari Naim Sopaj deklaroi para trupit gjykues se nuk i bashkëngjitet ndjekjes penale dhe se nuk kërkon kompensim të dëmit.

Po ashtu, Sopaj shtoi se lidhur me këtë rast ka parashtruar ankesë për kthim në gjendjen e mëparshme në Gjykatën e Apelit në Departamentin Civil.

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Nuhi Krasniqi, theksoi se e kundërshton në tërësi aktakuzën e Prokurorisë, me arsyetimin se këtu nuk kemi veprime që e formojnë veprën penale.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri në cilësinë e personit zyrtar, sportelist në zyrën e Postës së Malishevës, nuk e ka përmbushur detyrën e tij zyrtare, duke ia shkelur të drejtat Naim Sopajt.

Sipas aktakuzës, i dëmtuari Naim Sopaj, si drejtor i “NN Sopi”, me seli në Prizren, në lëndën e përmbarimit ku ka qenë si debitor në shtator të vitit 2017 ka parashtruar një kundërshtim ose prapësim kundër urdhrit përmbarimor te përmbaruesi privat Saranda Kuqi.

https://kallxo.com/del-para-gjykates-sportelisti-i-postes-ne-malisheve/

I akuzuari Hoti ka pranuar zarfin e të dëmtuarit Sopaj, mirëpo nuk e kishte dorëzuar te kartuesi Ismajl Telaku, të njëjtën e kishte dorëzuar pas 4 ditësh me të cilin veprim i kishte kaluar afati ligjor i kundërshtimit dhe në këtë rast Gjykata e Prizrenit e ka hedhur poshtë kundërshtimin e debitorit si të pasafatshme, thuhet në aktakuzë.

Me këto veprime i akuzuari Sahit Hoti është ngarkuar nga prokurori me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

https://kallxo.com/avokati-kerkon-hedhjen-e-aktakuzes-ndaj-sportelistit-te-postes-ne-malisheve/

Kallxo.com