Rrethojat e një burgu - Foto: REL/Shutterstock

I arratisuri nga QKUK, i dyshuar për tentim vrasje të Met Elshanit

Sot në orët e para të mëngjesit, KALLXO.com ka raportuar se  një i paraburgosur me inicialet A. K., i cili ishte duke u trajtuar në Klinikën Ortopedike të ShSKUK-së, është arratisur.

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se i dyshuari ishte nën masën e paraburgimit për veprën penale, tentim vrasje.

KALLXO.com mëson se i arratisuri ishte i dyshuar për tentim vrasje të menaxherit të On Records, Met Elshani.

Për arratisjen e cila ka ndodhur mëngjesin e sotëm, ShKK ka njoftuar Policinë e Kosovës, ndërsa dy zyrtarë korrektues janë ndaluar.

“ShKK po ballafaqohet çdoherë me raste të ngjashme, si shkak i mungesës se dhomave të sigurta për trajtimin e të burgosurve dhe të paraburgosurve në ShSKUK”, thuhet tutje në njoftim.

KALLXO.com kishte raportuar për plagosjen me armë e cila ka ndodhur me 17 maj në lagjen Dardania në Prishtinë, ku i plagosur kishte mbetur Met Elshani.

Policia kishte njoftuar se në lidhje me këtë rast  ka arrestuar katër persona dhe ka konfiskuar  tri armë zjarri.

“Personat e arrestuar janë Sh. C. 20 vjeç, L. K., 22 vjeç, Xh. B., 43 vjeç, ndodhen në objektet policore ku po intervistohen, ndërkohë që i dyshuari i katërt A. K. 23 vjeç, ndodhet në tretman mjekësor, nën përkujdesjen e policisë”, kishte njoftuar policia pak orë pasi kishte ndodhur plagosja me armë zjarri në lagjen Dardania.