Gjykimi për vrasjen e Mentor Zekajt - Foto: KALLXO.com

I akuzuari tregon detaje nga momenti i vrasjes në Pejë

Kreshnik Haliti, i akuzuar për vrasjen e Mentor Zekajt vitin e kaluar në Pejë. sot para trupit gjykues ka dhënë mbrojtjen e tij.

Para trupit gjykues Haliti rrëfeu rrethanat që çuan deri te vrasja e Mentor Zekajt.

Ai tha se të ndjerin e njihte qysh nga koha e paraluftës dhe se me të kishte marrëdhënie miqësore.

I akuzuari tha se gjatë kohës sa ishte duke punuar në Kuvendin Komunal të Pejës, Mentor Zekaj kishte kërkuar nga ai t’i ndihmojë rreth problemit me pronën ku e kishte shtëpinë e tij.

Kreshnik Haliti theksoi se këtë kërkesë Zekaj ia kishte bërë në vitin 2015.

“Kjo është arsyeja që ka filluar krejt ngjarja, që ka ardhur deri këtu. Unë s’kam pasur mundës t’ia kryej, ai aty m’i ka dhënë 2.000 euro për shpenzime a diçka qysh shkojnë këto punë. M’i ka dhanë 2.000 euro për atë punë që unë të interesohem në Komunë dhe t’i shoh mundësitë se si shkojnë procedurat për kompensimin e asaj prone”, tha ai.

Edhe për dy raste tjera i akuzuari tha se Mentor Zekaj i kishte kërkuar ndihmë: një rast për hapjen e një rruge në bjeshkë deri tek shtëpia e tani të ndjerit dhe një pajtimi me disa persona të fshatit Novosellë, pas një konflikti që kishte pasur familja Zekaj.

Të dy këto punë, Kreshnik Haliti tha se i kishte kryer për Mentor Zekajn, kurse për pronën e tij në Komunë nuk kishte mundur të bëjë zgjidhje,

Dy herë nga 400 euro të borxhit prej 2.000 eurove Halitit tha se i kishte kthyer në barnatoren e bashkëshortes së tij, kurse borxhin prej 1.200 eurove nuk ia kishte kthyer ende.

“Kur janë pajtuar me disa kushëri që janë rrehë, më ka thënë : të kam shumë borxh për këtë të mirë. Unë ia kam kthyer: jo unë të kam borxh ty 1.200 euro. Më ka thënë: hajt se në rregull është”, u shpreh i akuzuari.

Kreshnik Haliti rrëfeu edhe për ditën kritike.

Atë ditë tha se ka folur përmes telefonit me Mentor Zekajn dhe kishin lënë takim pasdite.

Pasi kishte përfunduar orarin e punës, i akuzuari tha se derisa ishte duke shkuar me disa miq për të pirë kafe, në qendër të qytetit ishte takuar me Mentor Zekajn.

“Ndërkoha ka ardhur i ndjeri me kerr, e ka hap dritaren dhe kemi folur shoqërisht. E kam thirr për kafe, me tha: Jo, a po hypë në kerr ta bëjmë një xhiro”, tha Kreshnik Haliti.

Ky i fundit theksoi se pasi kishte hyrë në veturë, sipas tij, nuk kishte qenë mirë në pamje fizike.

“I thash: çka ki, s’po dokesh mirë? Më tha: Ku kam me kanë mirë kur ki punë me gjethkon”, tha ai.

Tutje, i akuzuari tha se kishte pritur që pas xhiros me veturë bashkë me Mentor Zekajn të kthehej sërish në qendër të qytetit, mirëpo, sipas tij, Mentor Zekaj ishte nisur drejt lagjes “Fidanishte”.

“Më ka thënë se unë dhe ti nuk i kemi kryer do punë. I thash çfarë punësh s’i kemi rregulluar. Më tha: po shkojmë në shtëpi edhe atje bisedojmë.  I thash bisedo çka ki me bisedu. Tha: ti  e di fort mirë që kur i kam jep ato pare ki pasë me kry punën e s’e ki kry, punën e tokës së shtëpisë me Komunë”, tha ai.

Haliti tha se Zekaj i ishte drejtuar me një ton të lartë dhe më pas edhe me të shara.

Derisa kishin mbërritur në lagjen “Fidanishte”, i akuzuari tha se Zekaj e kishte ndalur veturën dhe e kishte nxjerrë pistoletën.

“Aty ka filluar me sha. Më ka thënë: me ki marr në qafë. Unë i kam thënë: nuk e kam marr këtë punë ta kryej me çdo kusht, thash çka ki? Më tha mbylle gojën se unë ta kajë nanën, familjen e gruan edhe ma ka hi me shuplakë në fytyrë. Unë instinktivisht e kam shty me dorë atë me shumë. Ai ka frenuar edhe e ka nxjerr revolen. Nuk e di a e ka pasur në çantë apo në brez, e ka raportirat dy herë në drejtim ka dera e veturës kah isha unë, bile një plumb ka ra”, shpjegoi i akuzuari para trupit gjykues.

“Instinktivisht unë i kam mësyrë në armën që e kishte në duar dhe e kam kthyer shpejt dhe ka kërcitur. Arma ka qenë në dorën e tij. Ka qenë refleks i shpejt. E kam pa vetëm me gjak, jam kacafytur dhe me vonë nuk e di çfarë kam bërë”, tha Kreshnik Haliti.

Ai tha  se pasi ishte duke ikur nga vendi i ngjarjes, derisa ishte në fshatin Vitomiricë tha se i kishte ardhur vetëdija, ku sipas tij, kishte kuptuar se ishte duke vozitur veturën e të ndjerit dhe armën e tij e kishte në ulësen e pasagjerit.

Haliti tha se në Vitomiricë e kishte lënë veturën, kurse armën e kishte futur në një qese që e kishte marrë në veturë dhe kishte shkuar në shtëpinë e tij në Novosellë me një taksist të rastit.

Armën tha se e kishte lënë mbi një dollap në shtëpi të tij, ndërsa më pas theksoi se e kishte thirrur dhëndrin e tij dhe ishte vetëdorëzuar në Polici pas disa orëve.

Kontesti i borxhit ndaj viktimës

Kreshnik Haliti ka kontestuar se i kishte 86 mijë euro borxh Mentor Zekajt, ashtu siç kishin deklaruar familjarët e të ndjerit gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor.

Një letër dhe një ditar i vogël, ku brenda tyre ka të cekura shuma të parave, tha se nuk kanë të bëjnë fare me borxhe.

Sipas tij, një letër në të cilën ceken disa shuma, kanë të bëjnë me blerjen e një toke që pritet të dilte në privatizim, e në të cekeshin shumat e parave që ai mund t’i siguronte në rast blerjeje të asaj prone nga AKP-ja bashkë me një mik të tij.

Kurse për një bllok të vogël me shënime dhe disa shifra prapa letrës, tha se janë numra të kilovatëve e nuk bëhet fjalë për euro.

Letra e cila ishte gjetur në xhepin e viktimës, i akuzuari tha se e kishte harruar kohë me parë në lokalin e të ndjerit e kishte harruar atë bashkë me cigaret.

Kundërshtime në deklarimin e Kreshnik Halitit pati nga avokati mbrojtës i familjes Zekaj, Gëzim Kollçaku, dhe familjarët e të ndjerit.

Seanca e radhës pritet të mbahet panesër, ku palët pritet të japin fjalën përfundimtare.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi rreth këtij rasti.