Gjykimi për lëndim të rëndë trupor FOTO: KALLXO.com

I akuzuari shpreh keqardhje në gjykatë se e kishte goditur me thikë viktimën

Miftar Mehmeti akuzohet nga prokuroria e Mitrovicës se në tetor të këtij viti në oborrin e kopshtit të fëmijëve “ Nina “ i ka shkaktuar lëndim të rëndë trupor i cili ka rezultuar me rrezikimin e të dëmtuarit Isa Sadriu.

Ata fillimisht kishin pasur një fjalosje rreth një karrige ku ishin kacafytur fizikisht në mes veti, ndërsa i pandehuri kishte qenë i pajisur me thikë ku më pas e kishte goditur të dëmtuarin katër herë duke i shkaktuar plagë shqyese.

Me këtë Mehmeti akuzohet se ka kryer veprën penale “ Lëndim i rendë trupor “.

Pas leximit të akuzës nga ana e prokurorit Ismet Ujkani, i pandehuri ka deklaruar se e pranon fajësinë duke shprehur keqardhjen për atë se çfarë kishte ndodhur.

Pranimi i fajësisë u mbështet nga ana e prokurorit Ismet Ujkani, mbrojtësi i të pandehurit avokati Elvir Imeri si dhe përfaqësuesi i viktimave Burhan Maxhuni.

Pas dëgjimit të të gjitha palëve gjykatësi i rastit Avni Mehmeti me anë të aktvendimit nuk e ka aprovuar pranimin e fajësisë për të pandehurin .

Në arsyetimin për refuzimin e pranimit të fajësisë gjykatësi Mehmeti ka thënë se në shkresat e lëndës ekziston ekspertiza mjeko ligjore e siguruar nga prokuroria Themelore në Mitrovicë e punuar nga eksperti mjeko ligjor Musa Gashi ku është përcaktuar se i dëmtuari Isa Sadriu ka pësuar dëmtime të rënda trupore mirëpo nuk ka dhënë asnjë mendim se i njëjti a ka shëmtim të përhershëm në raport me këto plagë, kualifikimi ligjor i aktakuzës nuk mund të mbështetet me këtë ekspertizë për këtë arsye gjykata e ka refuzuar pranimin e fajësisë, duke konsideruar se nuk përputhet me provat e veprës penale.

Pas kësaj meqenëse i pandehuri Miftar Mehmeti e ka pranuar fajësinë e cila nuk është pranuar nga gjykata, gjykatësi i kësaj çështje Avni Mehmeti i ka njoftuar palët se brenda afatit prej dhjetë ditëve mund të ushtrojnë kundërshtimet e tyre lidhur me akuzën.

Shqyrtimit i dytë nuk do të mbahet nëse do të ketë kundërshtime gjykata do të vendosë jashtë seancës Gjyqësore.