Foto: KALLXO.com

I akuzuari rrëfen momentet e vrasjes së bashkëmoshatarit

Në seancën gjyqësore të rigjykimit të Meriton Aliut, i akuzuar për vrasjen e bashkëmoshatarit të tij, S.R., ngjarje që ka ndodhur më 2016, sot është lexuar deklarata e B.R., që është e ëma e viktimës.

Ajo kishte deklaruar në Prokurorinë e Ferizajt se viktima ditën kur ka ndodhur ngjarja ishte nisur për t’u takuar me të dashurën e tij. Ajo kishte shtuar se nuk dinte nëse viktima ka pasur ndonjë problem me ndokënd më parë.

Gjithashtu në këtë shqyrtim gjyqësor u lexua edhe deklarata e dëshmitarit Agron Monqilla, që është djali i axhës së viktimës, i cili ka qenë me viktimën ditën e ngjarjes.

Në deklaratën e tij të dhënë në Gjykatën e Ferizajt, dëshmitari ka thënë se atë ditë së bashku me viktimën ishin nisur për t’u takuar viktima me të dashurën e tij dhe rruga në të cilën duhej të shkonin ishte lagjja ku ka ndodhur ngjarja.

Dëshmitari kishte deklaruar se sa ishin duke ecur me viktimën në afërsi të vendit të ngjarjes, i akuzuari me shokët e tij i kishin thirrur të afrohen. Pasi janë afruar, sipas deklaratës së dëshmitarit, i akuzuari e ka kapur për krahu viktimën, kanë biseduar dhe janë larguar derisa janë futur në hyrjen e banesës aty edhe ku janë dëgjuar të shtënat dhe ku ka ndodhur ngjarja.

Sipas dëshmisë të dëshmitarit, ai nuk e ka ditur për ndonjë problem të viktimës me të akuzuarin.

Pas leximit të deklaratave mbrojtësi propozoi që të lexohet si provë materiale edhe raporti mjekësor i të akuzuarit pas ngjarjes dhe të bëhet një ekzaminim psikiatrik që të kuptohet gjendja e të akuzuarit në momentin e ngjarjes.

Pas kundërshtimeve të prokurorit, trupi gjykues vendosi që të aprovojë leximin si provë materiale të raportit mjekësor të të akuzuarit pas ngjarjes, por nuk e aprovoi që të bëhet ekzaminimi psikiatrik.

Pastaj, në procedurë u lexuan provat materiale të cilat ishin raporti i autopsisë, i ekzaminimit balistik, raporti i konfiskimit të sendeve, raporti nga forenzika, foto-dokumentacioni. Pas propozimit të prokurorit u pranua të lexohet edhe raporti i këqyrjes së vendit të ngjarjes. Gjithashtu, u theksua se në vendin e ngjarjes ishin gjetur dy revole dhe dy gëzhoja të plumbave.

Po ashtu, në këtë shqyrtim gjyqësor u deklarua edhe i akuzuari në pyetjet e palëve.

I akuzuari Meriton Aliu deklaroi se vrasjen e pranon se e ka bërë, mirëpo fajësinë nuk e pranon.

I akuzuari deklaroi se viktimën e ka pasur në gjeneratë. Sipas tij, afërsisht dhjetë ditë para ngjarjes viktima e kishte goditur njëherë atë dhe e kishte kërcënuar me armë, me motivin se i akuzuari nuk donte të shoqërohej me viktimën dhe viktima për këtë arsye ka qenë i nervozuar me të akuzuarin.

Ndërsa për ditën e ngjarjes, i akuzuari tha se viktima i është afruar vetë atij aty ku ishte duke qëndruar me shokët dhe ka filluar ta ngacmojë me fjalë.

Pastaj, sipas të akuzuarit, viktima e ka kapur për krahu dhe kanë shkuar së bashku në hyrjen e banesës ku ka ndodhur ngjarja. Pas futjes në hyrje të banesës, sipas të akuzuarit, viktima i ka drejtuar armën por nuk e ka shkrepur, ndërsa i akuzuari sipas tij i ndjerë i rrezikuar e ka shfrytëzuar një moment, e ka nxjerrë armën nga brezi dhe e ka shkrepur dy herë, duke e vrarë viktimën. I akuzuari thotë se pas kësaj është larguar nga vendi i ngjarjes.

Trupi gjykues pas dëgjimit të dëshmisë të të akuzuarit vazhdoi procedurën në fazën e fjalës përfundimtare.

Prokurori në fjalën përfundimtare deklaroi se sipas provave materiale dhe dëshmitarëve është vërtetuar se i akuzuari e ka kryer veprën penale të vrasjes me dashje dhe i propozoi trupit gjykues të shqiptojë dënim meritor për të akuzuarin.

Ndërsa përfaqësuesi i zyrës për mbrojtjen e viktimave paraqiti edhe kërkesën pasurore juridike.

Mbrojtësi i të akuzuarit në fjalën përfundimtare e kundërshtoi cilësimin e aktakuzës, duke thënë se mungon dashja për t’u përmbushur vepra penale e vrasjes. Mbrojtësi deklaroi se kemi të bëjmë me veprën penale të vrasjes në rrethana të mbrojtjes së nevojshme.

Këto supozime mbrojtësi tha se i bazon së faktin se në shqyrtim gjyqësor asnjëherë nuk është vërtetuar dashja për t’u përmbushur vepra penale në aktakuzë.

Meriton Aliu akuzohet për vrasjen e bashkëmoshatarit të tij S.R., në vitin 2016 në Ferizaj,. Gjykata Supreme kishte vendosur që këtë rast ta kthente për rivendosje, duke u bazuar në kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Avni Ibrahimi.

Tani për këtë çështje po mbahet shqyrtim gjyqësor në Gjykatën e Gjilanit në përbërje të trupit gjykues prej kryetarit Agim Ademi dhe anëtarë Naser Maliqi dhe Islam Thaqi.

Në shqyrtimin e kaluar gjyqësor janë dëgjuar dëshmitarët Valtrim Rexhepi, Fatjon Shala dhe Driton Monqilla.