Gjykimi për vrasje - Foto: KALLXO.com

I akuzuari rrëfen ku ishte natën kur u vranë kushërinjtë e tij – vëllezërit Shani e Bahri Maloku

Besim Maloku, i akuzuari për vrasjen e kushërinjve të tij – dy vëllezërve Shani e Bahri Maloku, ka dhënë sot versionin e tij për natën kritike.

Ai tregoi se në ditën kritike me vëllain Blerimin kishte shkuar për të pirë kafe në Malishevë e më vonë te kushëriri në Kijevë.

“Jemi shkuar me kerr të Blerimit, e pastaj jemi kthyer. Kur jam kthyer i kam ndërruar teshat dhe jam dalë në mal me krasit”, deklaroi i akuzuari Blerim Maloku.

“Në orën tetë e diçka kam shku për me flejtë, por para orës nëntë e kam parë Blerimin me bateri në dorë t’u shku në ahur me i kontrollu delet”, deklaroi ai.

Ai tregoi se atë natë pas orës nëntë e kishte thirrur gruan në telefon për të fjetur në një dhomë me të, sepse ajo kishte shkuar në një dhomë me fëmijët e vegjël.

“Të nesërmen kur jam zgjuar në ora shtatë, ma ka bo gruja kafen dhe atëherë prej djalit të mixhës kam dëgjuar që janë vra djemtë e bacit Tafë”, deklaroi Besim Maloku.

Tutje ai tha se kishte shkuar në shtëpinë e të vrarëve, për kryeshëndosh.

“Atë ditë Policia ka bastisur shtëpinë, por pushkën që e kam pasur nën divan nuk e kanë kontrolluar, e më pas kur kanë ardhur për herë të dytë në kontroll, nuk e di se kush u ka thënë që pushka gjendet aty”, tha i akuzuari.

“Kur kemi qenë në stacion policor, Blerimi më ka pyetur se cilat armë i kanë gjetur Policia dhe më ka thënë: Ta kishim ditë i kishim gjujtë në bunar”, shtoi ai.

Foto: KALLXO.com

“Armën e kam përdorur para 3 viteve për Vitin e Ri. Atë armë para 6 ose 7 viteve kur kanë pasur dasmë në shtëpinë e Bahrisë, Uliksi ka ardhë e ka marrë armën pa fishekë dhe e ka kthyer prapë”, deklaroi ai.

Rreth çështjes së armës, prokurori Ramiz Buzhala e pyeti të akuzuarin se cila është e vërteta ajo që po e thotë tani apo ajo që kishte deklaruar në Prokurori.

Sipas prokurorit, në deklaratën dhënë në Prokurori i pandehuri kishte thënë se armën e kishte që 4 ose 5 vite, ndërsa sot tha që të njëjtën armë ia kishte dhënë për dasmë Uliks Malokut para 6 ose 7 viteve.

Në përgjigjen e tij, i akuzuari Besim Maloku tha që nuk e dinte saktë se prej kur e kishte armën, pasi që nuk e ka shkruar askund muajin dhe vitin.

Po ashtu, prokurori e ballafaqoi të akuzuarin me deklaratën e gruas së tij, Shemsie Maloku, të dhënë në Gjykatë, ku kishte thënë që “pushkën që e ka marrë Policia ka qenë e babës së Besimit dhe asnjëherë nuk e kemi përdorur”.

Në përgjigjen e tij i akuzuari Besim Maloku tha se “unë ashtu i kam thënë gruas që pushkën e kam prej plakut. Por ajo pushkë ka ardhë si pasojë nga një person të cilit ia kam shitur drunjtë dhe si këmbim e kam marrë pushkën, pasi që më kishte borxh paratë, e nuk m’i jepke”.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Besim Maloku, avokati Ndrec Dodaj kërkoi nga Gjykata që të dalë 2 minuta jashtë të këshillohet me klientin e tij, mirëpo kryetari i trupit gjykues Gëzim Pozhegu ia refuzoi një kërkesë të tillë me arsyetimin se i akuzuari është duke u marrë në pyetje.

Ndërkaq kryetari i trupit gjykues Gëzim Pozhegu bashkë me anëtarët Besarta Doli dhe Ilir Rashkaj, caktuan datën 31 korrik, për dhënien e fjalës përfundimtare.

KALLXO.com ka raportuar edhe më herët për këtë rast.

Ndërsa, i akuzuari Blerim Maloku, vëllai i të akuzuarit Besim Maloku, i cili po akuzohet vetëm për armëmbajtje pa leje, në dakordim me avokatin e tij, Prek Kola, deklaroi se do të mbrohet në heshtje.

Në një seancë të mbajtur në fillim të këtij muaji, nga avokatja e palës së dëmtuar Fehmije Gashi Bytyqi ishte propozuar si dëshmitar prokurori i shkarkuar, Agron Matjani, të cilën kërkesë Gjykata e kishte refuzuar.

https://kallxo.com/prokurori-i-shkarkuar-propozohet-si-deshmitar-ne-gjykimin-e-per-vrasjen-e-dy-vellezerve-ne-malisheve/

https://kallxo.com/kpk-shkarkoi-prokurorin-e-krimeve-te-renda-agron-matjani/

Bahri dhe Shani Maloku po qëndronin në shtëpinë e tyre para se të vriteshin sipas Prokurorisë nga plumbat e njërit nga personat që kishin tentuar të kryenin vjedhje në atë shtëpi.

Shani Maloku ka qenë pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

https://kallxo.com/arma-qe-vrau-vellezerit-ne-malisheve-ende-e-paidentifikuar/

Prokuroria po akuzon Besim Malokun për dy vepra, atë të vrasjes së rëndë dhe për mbajtje të armës pa leje, ndërsa Blerim Maloku po ngarkohet vetëm për armëmbajtje pa leje.

Në gjykimin e kaluar të mbajtur në muajin dhjetor 2018, i akuzuari Besim Maloku ishte deklaruar i pafajshëm për akuzën e vrasjes së rëndë, ndërsa i akuzuari Blerim Maloku e kishte pranuar fajësinë për armëmbajtje pa leje.

https://kallxo.com/vrasja-e-pjesetarit-te-fsk-se-i-akuzuari-per-armembajtje-pranon-fajesine/

Gjykata kishte aprovuar kërkesën e avokates mbrojtëse Feride Xani, për ndërprerjen e paraburgimit ndaj Blerim Malokut.

Ndërsa i akuzuari Besim Maloku gjendet në paraburgim prej datës 9 mars 2018.

Prokuroria e Gjakovës ka ngritur aktakuzën në muajin nëntor të 2018, për vrasjen e dyfishtë të ndodhur më 9 mars 2018, ku dyshohet se Besim Maloku me dashje ka privuar nga jeta dy vëllezërit Shani dhe Bahri Maloku, e gjithashtu ka rrezikuar jetën e Uliks, Hysni, Gjemajl dhe Afrim Malokut.

https://kallxo.com/njeri-nga-te-vraret-ne-malisheve-pjesetar-fsk-se/

Aktakuza ndaj Besim dhe Blerim Malokut, të cilët janë vëllezër, është ngritur nga prokurori Agron Matjani, raporton KALLXO.com.

Këto vepra janë kryer në fshatin Plloqicë të Malishevës.

Sipas aktakuzës, dy të akuzuarit kanë hyrë në shtëpinë e viktimave për të vjedhur, ku Besimi me vete ka pasur një pushkë automatike ndërsa Blerimi një pistoletë, raporton www.kallxo.com.

Aktakuza shpjegon se pasi që viktimat i kanë parë të akuzuarit, të njëjtit kanë vrapuar për t’i zënë dhe duke ikur i akuzuari Besim Maloku ka gjuajtur në drejtim të vëllezërve Shani dhe Bahri Maloku.

Në aktakuzë thuhet se Blerim Malokut në shtëpinë e tij i janë gjetur një pistoletë dhe një pushkë gjuetie e punuar me dorë dhe të njëjtat janë sekuestruar nga personat e autorizuar.

https://kallxo.com/prokuroria-pretendon-se-hajnat-e-vrane-pjesetarin-e-fsk-se/

www.kallxo.com