Seanca për vrasje ndaj të akuzarit Fatmir Llonqari (Arkiv) - FOTO KALLXO

I akuzuari për vrasjen e Idriz Gegës, i shpreh ngushëllime familjes së viktimës përmes avokatit

Në emër të të akuzuarit Fatmir Llonqari dhe familjes së tij, avokati Bekë Lajqi, i shprehu ngushëllime familjes Gega, të cilës i akuzuari Fatmir Llonqari pranoi se me sëpate e privoi nga jeta duke e goditur dy herë në kokë, të ndjerin Idriz Gega.

Me 14 shtator 2017, Peja ishte tronditur nga një vrasje e pazakontë. Atë ditë Idriz Gega, kishte zbrazur drunjtë para shtëpisë së tij, por disa nga ata drunjë kishin prekur murin e shtëpisë së të akuzuarit Fatmir Llonqari, pasojë e së cilës gjeti vdekjen Idriz Gega.

Sipas aktakuzës Fatmir Llonqari, kishte dalë nga shtëpia duke thënë “pse po ma prek murin me dru”, dhe kthehet në shtëpi merr sëpatën me të cilën e godet dy herë në kokë komshiun Idriz Gega, i cili nga goditjet me sëpatë ndërron jetë në spitalin e Pejës.

Fatmir Llonqari akuzohet edhe për tentim vrasje kjo pasi që djali i viktimës Ferid Gega, me të kuptuar se i ati i tij ishte goditur me sëpatë me kokë, shkon tek shtëpia e Fatmirit dhe disa herë shtënë me armë, të shtëna të cilave në atë moment i përgjigjet edhe Fatmiri pasi që me qëllim që ta sprapsë sulmin nga vetja e nxjerrë revolen dhe shtien disa herë në drejtim të Feridit, me që rast e plagosë të njëjtin.

Ai akuzohet  edhe për armë mbajtje pa leje.

Përpos tij në këtë proces gjyqësor i akuzuar për tentim vrasje është Ferid Gega, djali i viktimës Idriz Gega, i cili me të kuptuar se babai i tij është goditur me sëpatë në kokë, merr pistoletën dhe shkon tek shtëpia e të akuzuarit Fatmir Llonqari dhe shtien disa here duke tentuar ta privojë nga jeta.

Feridi akuzohet edhe për arme mbajtje pa leje.

I akuzuari Fatmir Llonqari në shqyrtim fillestar e kishte pranuar fajësinë për vrasje dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa për tentim vrasje është deklaruar i  pafajshëm.

Ndërsa i akuzuari Ferid Gega, është deklaruar i pafajshëm për tentim vrasje, kurse për armëmbajtje pa leje e ka pranuar fajësinë.

Gjatë shqyrtimit gjyqësor në cilësi të dëshmitarit u dëgjuan dëshmitarit Ylber Gega dhe Masar Gega.

Ylber Gega, djali i të ndjerit Idriz Gega, në pyetjet e prokurorit deklaroi se edhe më parë kanë pasur probleme të kësaj natyre.

“Para 9 viteve ka ndodh një ngjarje e ngjashme, edhe atëherë Fatmiri e kishte goditur me sëpatë në shpinë babën duke i thënë mos ma shkel rrugën, pasi që baba kishte dalë me i gjuajt mbeturinat në kamion”, tha dëshmitari Gega.

Dëshmitari tjetër Masar Gega, tha se me të dëgjuar të shtënat kishte shkuar në shtëpinë e viktimës për të parë çka ka ndodhur.

“Isha duke shkuar në punë dhe dëgjova 10 të shtëna tek shtëpia e agjës, pasi i dëgjova shkova menjëherë dhe pash të plagosur Feridin në oborr, i cili qëndronte në këmbë, si dhe nënën e tij së bashku me gruan e tij, të cilat u mundova t`i qetësoja”, tha dëshmitari Masar Gega.

Gjykimi pritet të vazhdojë sot, e martë 09 tetor 2018-të.