Pamje nga seanca e gjykimit për vjedhje të shërbimeve komunale – Foto: KALLXO.com

I akuzuari për vjedhje të rrymës nuk e pranon fajësinë

I akuzuari për vjedhje të shërbimeve komunale, Feim Bala, nuk e ka pranuar fajësinë për veprën që i ngarkohet.

Në shqyrtimin e mbajtur në Gjykatën Themelore në Gjakovë ishte paraparë të dëshmonin tre dëshmitarë, të cilët ishin punëtorë të autorizuar të KEDS-it por ata munguan.

Prokurori Ismet Topaj në fjalën hyrëse i propozoi Gjykatës që gjatë administrimit të provave të vërtetohet përgjegjësia penale e të akuzuarit.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Prenk Pepaj, deklaroi se aktakuza është e pabazuar dhe se i akuzuari nuk është përgjegjës për veprën penale për të cilën akuzohet.

Kurse, përfaqësuesi i autorizuar i KEDS-it, Lekë Muqaj, deklaroi se mbetet në tërësi pranë pretendimeve dhe aktakuzës së ngritur.

Prokuroria Themelore në Gjakovë sipas aktakuzës së ngritur më 2013 të akuzuarin e ngarkon me veprën penale të vjedhjes së shërbimeve komunale.

Sipas aktakuzës, i njëjti me qëllim që vetës t’i sjellë përfitim pasuror në mënyrë të kundërligjshme në restorantin “Swiss Bistro”, ka shfrytëzuar rrymën elektrike, duke bërë lidhje direkte në rrjetin elektrik.

Me këto veprime e ka penguar regjistrimin e saktë të energjisë së shpenzuar dhe ndërmarrjes KEDS i ka shkaktuar dëm material në shumë prej 1.480.53 euro, thuhet në aktakuzë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i njëjti në vazhdimësi gjer në vitin 2016, kishte vepruar njëjtë me keqpërdorim të rrymës duke i shkaktuar dëm të dëmtuarës në shumë prej 5.877.12 euro.

Me këtë i njëjti ka kryer veprën penale-vjedhja e shërbimeve komunale.

Shqyrtimi vazhdoi me dëgjimin e dëshmitarit Berat Bala, vëlla i të akuzuarit, i cili tregoi rreth ngjarjes në ditën kritike gjatë kontrollit, mirëpo i njëjti nuk i pranoi pretendimet e aktakuzës.

Më pas gjyqtarja Diana Sina konstatoi se nuk ka kushte për vazhdimin e seancës, ndërsa seanca e ardhshme u caktua të mbahet më 22 qershor.