Gjykimi i Jeton Mavrajt - Foto: KALLXO.com

I akuzuari për tentim vrasje pendohet dhe i kërkon falje viktimës

I akuzuari për tentim vrasje, Jeton Mavraj, i ka kërkuar falje publike viktimës dhe ka pranuar fajësinë në gjykimin e tij në Gjykatën e Pejës.

“E pranoj fajësinë, i kërkoj falje publike viktimës. Ka ndodhur pa qëllim, s’kam qenë vetvetja. Jam pendu për veprën penale “, ishin fjalët që i akuzuari Mavraj i tha gjatë shqyrtimit fillestar.

Mavraj e pranoi fajësinë për tentim vrasjen e Kastriot Blakajt dhe për armëmbajtje pa leje.

Ai akuzohej se në qershor të këtij viti, në Istog, me dashje dhe në gjendje të aftësisë mendore të zvogëluar ka tentuar ta privojë nga jeta Kastriot Blakajn.

Sipas aktakuzës, Jeton Mavraj në ditën kritike ishte përgatitur dhe me veturën e tipit “Mercedes“, sapo ishte afruar tek i dëmtuari Blakaj kishte ndalur veturën, kishte nxjerrë armën dhe nga dritarja e pasagjerit kishte shtënë katër herë në drejtim të Blakajt, duke e plagosur me dy plumba në bark dhe duke u larguar nga vendi i ngjarjes.