I akuzuari për tentim vrasje në Gjakovë shtyn marrëveshjen për pranim të fajësisë

Avdi Januzaj, i akuzuar se ka tentuar ta vrasë Sabri Arifajn në Gjakovë, nuk arriti të shqyrtojë një marrëveshje që kishte bërë me prokurorinë për pranim të fajësisë.

Januzaj akuzohet edhe për lëndim trupor ndaj Barjam Arifajt dhe armëmbajtje pa leje.

Seanca e paraparë të mbahet të premten u shty.

Arsyeja e shtyerjes së seancës ishte se mbrojtësi i të akuzuarit Avdi Januzaj, avokati Teki Bokshi kërkoi kohë nga gjykata që të konsultohej me të mbrojturin e tij rreth marrëveshjes së arritur.

Sipas avokatit Bokshi, marrëveshja e arritur mes Prokurorisë dhe të akuzuarit Avdi Januzaj bashkë me ish-avokatin e tij Faruk Binakaj, konsiderohej të jetë arritur me rezerva.

Shtyerjen e seancës nuk e kundërshtuan as prokurori  i rastit Ali Uka, e as mbrojtësi i të dëmtuarve Sabri e Bajram Arifaj, avokati Ndrec Dodaj.

Ndërkaq kryetari i trupit gjykues Nikollë Komani bashkë me anëtarët Mentor Bajraktari dhe Besarta Doli, seancën e radhës e caktuan për muajin qershor  dëgjimin e dëshmitarëve.

Sipas aktakuzës, Avdi Januzaj kishte harruar telefonin e tij në lokalin e të dëmtuarve në fshatin Dujakë dhe pasi është kthyer për ta marrur telefonin e tij, ka filluar fjalosja e cila ka përfunduar  me rrahje mes tij dhe të dëmtuarit Bajram Arifaj.

Aktakuza shpjegon se babai i Bajramit, Sabriu kishte ardhur në vendin e ngjarjes dhe për një moment i akuzuari Avdi e kishte nxjerrur revolen, kishte gjuajtur një herë në drejtim të dëmtuarit Sabri, duke e qëlluar në pjesën e poshtme të stomakut.

Kallxo.com kishte raportuar edhe më herët për këtë rast.

https://kallxo.com/tentim-vrasja-ne-dujake-te-gjakoves-i-dyshuari-dorezohet-ne-polici/

https://kallxo.com/tentim-vrasje-ne-dujake-te-gjakoves/