Militantë të panjohur në Siri | Foto nga materiale propagandistike të ISIS

I akuzuari për pjesëmarrje në grupe terroriste e pranon fajësinë

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me dy vite burgim të akuzuarin për  pjesëmarrje në grupe terroriste Ibrahim Fazlija.

Fazlija akuzohej se deshi t’i bashkohej organizatave ekstremiste ISIS e “Al Nusra” së bashku me bashkëshorten e tij.

Ai e ka pranuar fajësinë në lidhje me veprën penale e cila i vihej në barrë që në seancën fillestare.

Pas pranimit të fajësisë nga i njëjti, kryetari i trupit gjykues Vehbi Kashtanjeva e ka shpallur aktgjykimin me anë të të cilit të akuzuarin e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me dy vjet burgim.

Sipas aktakuzës, Fazlija më 8 nëntor të vitit 2015 së bashku me bashkëshorten e tij, Fatlume Demiri, kishin tentuar që t’i bashkëngjiten organizatave terroriste ISIS dhe “Al Nusra” në Siri.

Prokuroria pretendon se ata kanë tentuar t’u bashkëngjiten këtyre organizatave kur së bashku me bashkëshorten e tij kishin udhëtuar për në Stamboll të Turqisë përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Por, gjithnjë sipas aktakuzës, pas arritjes në Aeroportin e Stambollit “Ataturk”, të njëjtëve u është refuzuar hyrja nga autoritetet turke, ashtu që më 9 nëntor 2015 janë deportuar nga Turqia për në Kosovë për arsye të sigurisë publike në Turqi.

Me këtë, Ibrahim Fazlija ngarkohet me veprën penale bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit së Kosovës, në tentativë, nga neni për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosur jashtë vendit.

https://kallxo.com/i-akuzuari-se-deshi-ti-bashkohet-isis-it-bashke-me-gruan-nuk-paraqitet-ne-gjykate/