Gjykimi i Hajrë Krasniqit - Foto: KALLXO,com

I akuzuari nuk ndihet fajtor për vdekjen e punëtorit nga mungesa e masave mbrojtëse në punë

Hajrë Krasniqi ka dalë para Gjykatës për t’u përgjigjur për veprën penale rrezikim i sigurisë në punë.

Rasti për të cilin akuzohet Krasniqi ka ndodhur nëntë vjet më parë, ndërsa aktakuza nga Prokuroria e Prishtinës është ngritur më 12 mars 2018.

Në lidhjen me akuzën e cila i vihet në barrë – mosofrim e masave mbrojtëse për punë, i akuzuari Hajrë Krasniqi tha sot në Gjykatën e Prishtinës, dega në Drenas, se nuk e pranon fajësinë.

Gjatë seancës së sotme, përfaqësuesi  i palës së dëmtuar tha se ka vërejtje në Prokurorinë, e cila, sipas tij, ka gabuar datën se kur ka ndërruar jetë Sherif Gegaj. Ai kërkoi përmirësimin nga 7 nëntor 2009 siç e ka shënuar Prokuroria në 4 nëntor 2009, që është data e saktë e rastit tragjik.

Ndërsa, prokurorja Merita Shala – Muhaxheri në fjalën hyrëse i propozoi Gjykatës dëgjimin e dëshmitarëve, të cilët, sipas saj do të shpjegojnë për kushtet në të cilat është punuar në objektin e të pandehurit, si dhe të lexohet si provë ekspertiza, raporti i autopsisë që tregon shkaqet e vdekjes së të ndjerit Sherif Gegaj, procesverbali i KEK-ut, dhe foto dokumentacioni nga vendi i ngjarjes.

Ndërsa në fjalën hyrëse i pandehuri Hajrë Krasniqi tha se nuk ndihet fajtor për veprën penale për të cilën akuzohet.

“Unë nuk e kam kry veprën penale për të cilën akuzohem. Punën ia kam dhanë Sylejman Ymerit. Babën e Sylejmanit e kam djalë të motrës. Nuk kam pasë obligime tjetër”, tha i akuzuari.

Kurse, Sylejman Ymeri ka dëshmuar sot në Gjykatë.

I pyetur nga prokuroja se kur keni filluar punën me kënd ka biseduar prej familjes Krasniqi, ai tha se ka folur me djalin e të akuzuarit.

“Unë jam marrë vesh me djalin e Hajrë Krasniqit, Nexhmedin Krasniqi”, tha Ymeri.

Për momentin kur vdiq Sherif Gegaj, dëshmitari tha se ka qenë duke e rrafshuar pllakën.

Lidhur me mjetet e punës, dëshmitari tha se ditën kur ka vdekur i ndjeri Gegaj nuk kanë pas mjete për siguri.

“Atë ditë kur ndërroi jetë nipi im Sherif Gegaj ka rënë shumë shi dhe më kanë treguar se Hajrë Krasniqi ka thënë: “Shpëtoi, nuk shpëtoiu punën mos e ndalni”. Vet nuk e  kam dëgjuar”, theksoi Ymeri.

I pyetur nga prokurorja se a kanë kërkuar mjete për punë, dëshmitari tha se ka biseduar me Nexhmedin Krasniqin, djalin e Hajrë Krasniqit.

“Aty unë kam punuar me agregat, dhe agregati ka qenë i lidhur me rrymën në shtyllë elektrike në mënyre ilegale, ku dhe rryma e mbyti te ndjerin Sherif Gegaj”, tha dëshmitari.

“Unë kam kërkuar me u ndërpre puna, se po bie shi dhe nuk ka kaluar  as një  orë,  rryma e ka mbytë nipin tim, djalin e motrës sime, Sherif Gegajn” tha Ymeri.

Rreth deklaratës së dëshmitarit Sylejman Ymeri, i akuzuari Hajrë Krasniqi tha se ka vërejtje, “sepse dëshmitari po thotë të pavërteta”.
Në seancën e sotme në cilësinë e dëshmitarit prezent ishte edhe djali të akuzuarit Fehmi Krasniqi, i cili e shfrytëzoi te drejtën për të mos u deklaruar, pasi që të pandehurin  e ka baba, dhe këtë ia parasheh edhe ligji.

Dëshmitari Abdyl Elshani tha se mbetet të tërësi pranë dëshmisë së dhënë në Polici.

I pyetur nga prokurorja për momentin kur Sherif Gegajn e mbyti rryma, dëshmitari tha se ka qenë mjeshtër, duke i vendosur disa  dërrasa dhe se momentin tragjik nuk e ka parë, sepse ka qenë afro 4 metra larg.

“Vetëm kam dëgjuar duke bërtitur: Ngani se e mbyti rryma!”, tha ai.

Dëshmi dha edhe dëshmitari Liridon Veseli.

Ai tregoi se në ditën kritike kishte shkuar të punonte te familja Krasniqi me këshillën e babait të tij, Sahret Veselit. Dëshmitari tha se aty ka punuar vetëm në ditën kur vdiq Sherif Gegaj.

I pyetur nëse kanë pasur pajise mbrojtëse gjatë punës, dëshmitari Liridon Veseli tha se nuk kanë pasur asgjë. “Atë ditë ka rënë shumë shi”, kujtoi ai.

Dëshmitari tha se në momentin kur e ka goditur rryma Sherifin ai s’ka qenë afër tij.

“Afër tij ka qenë vetëm vëllai im i mitur në atë kohë”, tha ai.

Në fund të seancës prokurorja e shtetit Merita Shala- Muhaxheri propozoi që të ftohet për të dëshmuar Hamit Nuredini, i cili e ka përpiluar ekspertizën. Po ashtu, ajo propozoi të dëgjohet si dëshmitar djali i Hajrë Krasniqit, Nexhmedini.

Gjyqtari Shefqet Baleci miratoi propozimet e prokurores.

Po ashtu, ai tha se do të ftohet si dëshmitar edhe Jeton (Sahret) Veseli, pasi që i njëjti në momentin kur ka ndërruar jetë i ndjeri sipas disa deklaratave ka qenë me të prezent.

Seanca e radhës do të mbahet me 24 dhjetor.

Sipas aktakuzës, më 04.11.2009 rreth orës 15:00 në fshatin Vukavc të Drenasit, i pandehuri në cilësinë e investitorit të objektit, nuk ka vepruar sipas dispozitave dhe rregullave teknike mbi masat mbrojtëse lidhur me përdorimin e mjeteve dhe pajisjeve për punë gjatë kryerjes së punëve, dhënien e udhëzimeve të nevojshme për siguri në punë dhe mbrojtje të shëndetit të punëtorëve, përfshirë parandalimin e rreziqeve në punë dhe kështu ka vepruar në kundërshtim me nenet 2.0, 2.5 dhe 2.7 të Ligjit nr.2003/19 për Sigurinë në punë, duke rrezikuar jetën dhe shëndetin e njerëzve, ashtu që si pasojë i dëmtuari Sherif Gegaj – punëtor krahu duke punuar me përzierës betoni pa pajisje mbrojtëse, në kushte atmosferike me reshje shiu, bie në kontakt me rrymën dhe si pasojë e humb jetën.

26 Nëntor 2018 - 23:16

Shyhrete Maliqi 26/11/2018 - 23:16
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend