Foto: Kallxo.com

I akuzuari në spital, shtyhet gjykimi për detergjent e pampersa pa doganë

Seanca e shqyrtimit fillestar e paraparë të mbahej sot në gjykatën e Mitrovicës ndaj të akuzuarve Filip Filipoviq, Milan Stojanoviq, Marko Mlladenoviq dhe Bekim Gashi ka dështuar të mbahet.

Arsye e mosmbajtjes së seancë ishte mungesa e të akuzuarit Marko Mlladenoviq.

Gjykatësi Burim Ademi ka njoftuar palët prezente se nga ana e familjarëve të të akuzuarit, Gjykata është njoftuar se ai gjendet i shtrirë në spital.

Kurse në mungesë të kushteve ligjore, seanca e sotme është shtyrë për 15 maj.

Gjykatësi Ademi bëri të ditur se në rast se Gjykata paraprakisht vihet në dijeni se për seancën e radhës nuk mund të sigurohet prezenca e të akuzuarit Mlladenoviq, palët e tjera do të njoftohen për ndryshim të orarit të seancës.

Prokuroria e Mitrovicës akuzon Milan Stojanoviqin si përgjegjës të firmës “Telekomunaikacia plus 028” dhe Filip Filipoviqin, si vozitës i kamionit “Tam 130 T 11“, se në pikën kufitare në Jarinje afër Leposaviqit kanë zhdoganuar detergjent dhe pampersa duke iu shmangur zhdoganimit të mallrave kozmetike, zhileta, detegjent dhe pampersa, me ç’rast i kanë ikur pagesës së detyrimeve doganore në vlerë prej 12.622.86 euro.

Me këtë në bashkryerje akuzohen se na shtator të vitit 2014 kanë kryer veprën penale të shmangies nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore.

Ndërsa dy të pandehurit e tjerë Marko Mlladenoviq dhe Bekim Gashi akuzohen se po ashtu në shtator të vitit 2014 në pikëkalimin kufitar në Jarinje nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare me qëllim që tjetrit t’i sjellin përfitim pasuror.

Sipas akuzës, doganierët Marko Mlladenoviq, në cilësinë e udhëheqësit të ndërrimit, dhe Bekim Gashi përgjegjës, përgjegjës në shiritin kontrollues, nuk e kanë kontrolluar detajisht kamionin në pikën doganore por vetëm në mënyre vizuele dhe kishin lejuar të vazhdojë.

Por kamioni të cilin e drejtonte Filip Filipoviq ishte ndaluar në Leposaviq nga ana e policisë në rrugën magjistrale “Flotacioni” dhe pas verifikimit të mallit ishte konstatuar së ai ka pasur më tepër mall se që është deklaruar për zhdoganim.