I akuzuari insiston se marihuanën e kishte vetëm për konsumim personal

Edison Istrefi i akuzuar për shitje dhe blerje të narkotikëve nuk e pranoi akuzën e Prokurorisë.

Pranë gjykatës së Gjakovës, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Ali Uka, i akuzuari Istrefi, tha se nuk kishte për qëllim ta shiste drogën.

“Është e vertetë që drogën e kanë gjetur në shtëpinë time, por unë nuk e kam pasur për ta shitur por për ta konsumuar për vete”- deklaroj ai.

Ndërkaq gjyqtari Nikollë Komani, caktoi datën 8 korrik për kundërshtimin e aktakuzës nga ana e të akuzuarit.

Sipas aktakuzës, nga ana e njësitit të hetimeve për narkotikë në Gjakovë, gjatë kontrollës në shtëpinë e të akuzuarit Edison, i është gjetur substanca narkotike- marihuanë në peshë prej 9.54 gram.

Aktakuza shpjegon se ditën e dytë të muajit maj bashkë me drogën, i është gjetur edhe një mulli i vogël për bluarjen e narkotikut dhe një pako rizlla.