I akuzuar për 'Pronto', largohet edhe këshilltari i Veselit

Ish- këshilltari politik i kreut të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, Njazi Kryeziu, ka thënë se ai ka ofruar dorëheqje nga pozita e këshilltarit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, një muaj më parë.

Tutje, Kryeziu ka thënë se ka qenë në pritje të këtij vendimi nga ana e Veselit.

“Muajin e kaluar kur ka dalë Ambasada Amerikane me një deklaratë, për shqetësimet e njerëzve që kanë aktakuza e që janë nëpër pozita publike, unë ja kam dërguar kërkesën për dorëheqje të pa revokueshme. I kam thënë se ne duhet të reflektojmë për “Dekadën e re”. Atëherë ai më ka thënë se të falënderoj për qasjen korrekte, dhe do ta marrim një vendim te përbashkët dhe dorëheqja ime ka qenë në pritje të vendimit të Kadri Veselit. Unë kam qenë njëri prej propozuesve të vendimit të kryetarit Veseli”, ka thënë ai për KALLXO.com.

Ai ka thënë se PDK do të kërkoj edhe nga partitë e tjera të koalicionit në Qeveri që të veprojnë njëjtë.

Sot, kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli mori vendim që të gjithë zyrtarët e parisë që kanë aktakuza të lirohen nga detyra zyrtare dhe funksionet brenda partisë.

Njazi Kryeziu është njëri nga të akuzuarit në rastin tashmë të njohur “Pronto”.

Sipas Prokurorisë Speciale, të akuzuarit akuzohen për kryerjen e veprës penale Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje, nga neni 193 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, prej të cilave disa prej veprave kanë mbetur në tentativë.

Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar në mes vete për dhënien e privilegjeve dhe përparësive kundërligjshme personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme, siç janë: drejtor për Ndërmarrjet publike qendrore, Kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Kryeshef i Agjencisë për produkte medicinale dhe Koordinator i Qendrës së Regjistrimit Civil në Komunën e Klinës, duke mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e kandidatëve të tjerë, të garantuara me ligj.

KALLXO.com pati raportuar se në prill të këtij viti, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngriti aktakuzë në rastin e quajtur “Pronto”.

Në këtë çështje penale janë të akuzuar njëmbëdhjetë persona me funksione të larta zyrtare.

Adem Grabovci, Besim Beqaj, Zenun Pajaziti, Arbenita Pajaziti, Ilhami Gashi, Njazi Kryeziu, Fatmir Shurdhaj, Sedat Gashi, Ismet Neziraj, Xhavit Dakaj, Rexhë Abazi, janë të akuzuarit e Prokurorisë Speciale.

https://kallxo.com/vendimi-i-apelit-adem-grabovci-dhe-te-tjeret-do-te-gjykohen-per-rastin-pronto/