Ish-ministri, Skender Hyseni

Hyseni Nuk Ka Koment për të ‘Gjeturat’ e Bulliqit

Ministri që nënshkroi Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi, Skender Hyseni, tha për KALLXO.com se nuk ka asnjë koment për të gjeturat e pretenduara të Komisionit të ri në lidhje me demarkimin e kufirit me vendin fqinj.

Ish-deputeti i LDK-së, tani kryetari i Komisionit për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, Shpejtim Bulliqi, ka deklaruar gjatë ditës së djeshme që pas një vizite në Kroaci dhe Slloveni, Komisioni ka vërtetuar se Kosova ka humbur tokë me nënshkrimin e Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi të gushtit 2015.

“Ne atje patëm rastin të takohemi me disa institucione relevante dhe nga të cilat ne arritëm të sigurojmë disa materiale të cilat janë të vlefshme për punën tonë, por janë të vlefshme edhe për procesin. Janë disa prej materialeve të cilat me kohë do t’i bëjmë publike. Sigurisht që dëshmojmë se kemi humbur territor sepse arsyeja e shkuarjes sonë atje ishte kjo”, ka thënë dje Bulliqi.

http://kallxo.com/bulliqi-kemi-gjetur-prova-se-demarkacioni-me-malin-e-zi-eshte-shenjuar-gabim/

Mirëpo në lidhje më këto “gjetje” të Bulliqit, kolegu i partisë së tij, Skender Hyseni, ish-ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë e kaluar, e që e ka nënshkruar atë Marrëveshje, nuk ka pranuar të flasë kur KALLXO.com ka kërkuar nga ai një koment mbi deklaratën e Bulliqit.

“Nuk kam asnjë koment në këtë temë”, tha shkurt Hyseni.

Ndërsa, kur u pyet nga KALLXO.com se si nuk ka koment kur ai ka qenë ministri që e ka nënshkruar atë Marrëveshje, Hyseni e mbylli telefonin.

Gjatë ditës, KALLXO.com ka provuar të kontaktojë edhe me ish-kryetarin e këtij Komisioni, Murat Mehën, por kontakti me të ka qenë i pamundur.

Çështja e Demarkacionit ka mbi 2 vite që është nënshkruar dhe ende nuk është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës.

Zyrtarët e BE-së shumë herë kanë deklaruar se ratifikimi i kësaj Marrëveshjeje është kushti kryesor që Kosova të merr liberalizmin e vizave.