Foto Arkiv

Hyn në fuqi ligji, nis heqja e licencave për lojërat e fatit

Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar se ka filluar marrjen e licencave të bizneseve të lojërave të fatit.

“Duke marrë parasysh se me  datën 10 Maj 2019 hyn në fuqi Ligji Nr. 06/L-155, për Ndalimin e Lojërave të Fatit, Administrata Tatimore e Kosovës njofton të gjithë opinionin dhe subjektet ekonomike, se me qëllim të zbatimit të dispozitave ligjore, sipas nenit 1 të  Ligjit Nr. 06/L-155, i cili kërkon ndalimin dhe mbylljen e të gjitha lojërave të fati në Republikën e Kosovës, ka filluar me revokimin e të gjitha licencave të subjekteve që merren me organizimin e Lojërave të Fatit”, thuhet në njoftimin e ATK-së.

ATK, njofton se marrja e këtyre licencave hynë në fuqi nga data 10 maj 2019 dhe pas kësaj date çdo aktivitet i lojërave të fatit do të konsiderohet kundërligjor.

“Ky revokim i licencave  hynë në fuqi nga me datën 10 Maj 2019, dhe çdo ushtrim i aktivitetit të lojërave të fatit pas kësaj date do të konsiderohet aktivitet i kundërligjshëm, kështu që institucionet e zbatimit të ligjit  sipas nevojës do të veprojnë sipas detyrës zyrtare”, thuhet në njoftim.