Hulumtimi i KALLXO.com për policin mitrovicas po trajtohet nga Drejtoria e Standardeve Profesionale

Hulumtimi i KALLXO.com në lidhje me hetuesin e Policisë të Rajonit Policor të Mitrovicës, Bujar Sinani, i cili shoqërohej me një person i cili dyshohet për të paktën 5 vepra penale, po trajtohet nga Drejtoria e Standardeve Profesionale.

Kështu ka konfirmuar për KALLXO.com Zyra për media e Inspektoratit Policor të Kosovës.

Sipas IPK-së, shoqërimi i zyrtarëve policorë me persona të dyshuar nuk konsiderohet vepër penale por është shkelje disiplinore.

“Sa i përket informatës në lidhje me zyrtarin policor në fjalë, IPK ka pranuar këtë informacion nga Policia e Kosovës dhe e njëjta  është trajtuar në Inspektoratin Policor të Kosovës dhe se fillimisht nuk janë gjetur elemente të veprës penale, pasi që shoqërimi me persona të dyshuar  nuk konsiderohet vepër penale, por është shkelje disiplinore. Rasti është përcjellë për trajtim në aspektin disiplinor në Drejtorinë për Standarde Profesionale të Policisë së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e IPK-së për KALLXO.com.

Hulumtimi i KALLXO.com, i publikuar në gusht të këtij viti, sjell fotografi nga shoqërimi i hetuesit policor në Mitrovicë, Bujar Sinani, me një person të dyshuar për vepra penale, emri i të cilit është Arsim Ferizi i njohur si “Cima”.

Veprat penale të Arsim Ferizit janë të regjistruara saktësisht në stacionin policor ku Bujar Sinani është hetues.

https://kallxo.com/hetuesi-i-policise-i-shoqeruar-me-njeriun-e-dyshuar-per-plote-vepra-penale/?fbclid=IwAR12rmFAUpUvv1RUnrSl8211WIKP59TU_lyYuRMh5TpBv8gQbdm7kH6pL_8

www.kallxo.com