Meliza Haradinaj-Stublla - Foto: Facebook/ Meliza Haradinaj-Stublla

Hulumtimi i KALLXO.com, ngrihet aktakuzë ndaj këshilltares së Haradinajt

Pas raportimit të KALLXO.com, Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj këshilltares së kryeministrit të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla.

Këshilltarja e kryeministrit Ramush Haradinaj sot u ballafaqua në Gjykatë për akuzën e mosdeklarimit të pasurisë.

Pas hulumtimit disamujor të Gazetës Jeta në Kosovë, në dhjetor të vitit të kaluar KALLXO.com raportoi se Meliza Haradinaj – Stublla, këshilltarja politike e kryeministrit Ramush Haradinaj nuk e ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion biznesin që e ka regjistruar në Londër. Ajo nuk kishte deklaruar të ardhura si pronare e kompanisë “IN MIDDLE LTD”, me zyrë në “108 Woolmead Avenue” në Londër.

Haradinaj-Stublla, të cilën Prokuroria e akuzon se nuk e deklaroi pronësinë e një biznesi në Londër, sot u deklarua e pafajshme kundrejt akuzës për mosdeklarim të pasurisë.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria e Prishtinës, Meliza Haradinaj-Stublla, zyrtare e lartë publike, ka vepruar në kundërshtim me nenin 5 paragrafi 1.3 dhe nenin 6 par. 1.1 të Ligjit Nr. 04/L-050, për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publik dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtarë.

Prokuroria Meliza Haradinaj-Stubllën e akuzon për kryerje të veprës penale – mosraportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër pasurore ose i detyrimeve financiare pasi që pretendohet se e njëjta ndonëse ishte e detyruar që ta deklaroj pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK) nuk e ka bërë një gjë të tillë.

“…me rastin e marrjes së detyrës më 11 shtator 2017, për vitin paraprak ku e njëjta përmes formularit për deklarimin e pasurisë nuk e ka deklaruar pronësinë e një biznesi të quajtur “IN MIDDLE LTD” të regjistruar në Londër, me zyre nr “108 Woolmead Avenues në “Companies House”, edhe pse ka qenë e obliguar”, thuhet në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria e Prishtinës.