Veseli: Ngjarjet e Marsit Nxorën Para Botës të Vërtetën

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli në një seancën e veçantë, me rastin e 20-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht rënies heroike të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari ka thënë se ngjarjet e 5,6 dhe 7 marsit nxorën para botës të vërtetën..

“Jemi mbledhur sot në nderim të njërës prej sakrificave për liri e pavarësi, sakrificës së familjes Jashari dhe kryeheroit Adem Jashari. Atë ditë në Prekaz u ndryshua historia dhe epokat. Nisi epika e kryengritjes, lëvizjes më të lavdishme që ka krijuar populli ynë, UÇK-së, epoka e kryengritjes për liri. Asgjë nuk është më e çmueshme se liria. Ngjarjet e 5,6 dhe 7 nxorën para botës të vërtetën”, theksoi Veseli.

Kryeparlametari më tej shtoi se Adem Jashari besonte se ëndrra për liri ishte më e fortë se terrori, dhe historia i dha të drejtë.

“Ai ishte fillimi i fundit të Serbisë në Kosovë… pjesë e rrëfimit tonë te suksesit janë dhe sfidat e mëdha. Pyetja nuk është çfarë bënë dëshmorët për Kosovën? Këtë e dinë të gjithë, dhanë jetën. Por pyetja është çfarë po bëjmë ne të gjallët për Kosovën? E vërteta është se kemi nevojë për një kthesë morale në politikë”, potencoi kryeparlamentari Veseli.

 

http://kallxo.com/haradinaj-jasharajt-nderruan-epokat/