Një person i armatosur mban në duar flamurin e ISIS-it - Foto: REL/Reuters

Hoxhallarët do të Ligjërojnë në Burgjet e Kosovës

Rreth 150 persona të kthyer nga zonat e luftës në Siri e Irak, po vuajnë dënimet në burgjet e Kosovës.

Të njëjtit, nga institucionet e Kosovës, vazhdojnë të konsiderohen si rrezik potencial andaj edhe po punohet për deradikalizimin e tyre.

Në procesin, e ashtuquajtur të deradikalizimit, janë të përfshira disa institucione shtetërore, Bashkësia Islame e Kosovës, shoqëria civile, por një angazhim parësor ka edhe Ministria e Drejtësisë.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se ekziston radikalizmi në burgjet e Kosovës. Andaj, sipas tij, kjo dukuri do të luftohet përmes ligjëratave të imamëve nëpër qendrat korrektuese.

Ai ka treguar se shumë shpejt do të nënshkruajnë një memorandum bashkëpunimi me Bashkësinë Islame të Kosovës, duke bërë të ditur se janë përzgjedhur edhe imamët të cilët do të ligjërojnë para të burgosurve.

“Ka qenë gjithmonë një tendencë e disa të burgosurve që i shpie në radikalizëm të dhunshëm. Ditëve në vijim do të nënshkruaj një memorandum mirëkuptimi me Bashkësinë Islame të Kosovës, e cila mundëson mbajtjen e ligjëratave nga persona që do të jenë të autorizuar nga Bashkësia Islame e Kosovës, për të pamundësuar një radikalizëm të tillë në burgjet e Republikës së Kosovës” ka thënë ministri Tahiri.

Sipas Tahirit, është shumë e rëndësishme që personave të cilësuar si të radikalizuar, t’u ofrohet mundësia që të integrohen në shoqëri në mënyrë që ata të mos paraqesin rrezik pas përfundimit të dënimit.

“Ky është edhe qëllimi që këta persona që janë të dënuar konform ligjit për implementim të sanksioneve penale, që i vuajnë dënimet në qendrat korrektuese në Republikën e Kosovës, në momentin kur e përfundojnë dënimin të jenë persona të cilët nuk do të paraqesin rrezik më tutje për shoqërinë tonë, mos të paraqesin rrezik për të rinjtë, mos të arrijnë t’i indoktrinojnë të rinjtë që të ndjekin rrugën mbi të cilën ata i ka dërguar të paktën në qendrat korrektuese” ka thënë Tahiri.

Ministri Tahiri ka folur edhe për qytetarët e Kosovës që vazhdojnë të jenë në vatrat e luftës në Siri apo Irak, duke thënë se së bashku me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, do të punojnë për kthimin e tyre në vendlindje.

“Kemi të bëjmë me njerëz që tashmë u bënë disa vite që kanë kaluar nëpër ato vatra të luftës dhe padyshim që duhet të jemi të kujdesshëm ndaj tyre, duhet t’u qasemi me kujdes. Ata njerëz në asnjë rrethanë nuk duhet të anashkalohen, ata njerëz nuk duhet të lihen anash shoqërisë, mirëpo duhet të trajtohen konform ligjeve që i kemi në fuqi” ka shtuar ministri i Drejtësisë.

Nga viti 2012 në zonat e luftës në Siri e Irak, kanë shkuar mbi 300 qytetarë të Kosovës dhe sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, 70 prej tyre janë vrarë.

Rreth 130 tashmë janë kthyer në Kosovë dhe pothuajse të gjithë janë arrestuar për vepra penale që ndërlidhen me terrorizëm dhe pjesëmarrje në luftëra të huaja.

Aktualisht në këto zona, sipas të dhënave zyrtare, vazhdojnë të jenë edhe 27 fëmijë dhe 44 gra. (REL)