Enver Hoxhaj I Foto: Kallxo.com

Hoxhaj reagon për vendimin e Gjykatës ndaj ish-ushtarit për krime lufte në Kosovë

“15 vjet burg për vrasjen e 31 civilëve, duke përfshirë gra dhe fëmijë për një ish-ushtar, nuk është vetëm padrejtë, por është fyese ndaj viktimave dhe familjeve të tyre”.

Kështu është shprehur zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj në lidhje me vendimin e Gjykatës së Lartë të Beogradit për ish-oficerin e Ushtrisë jugosllave, Rajko Kozlina.

“Pandëshkueshmëria për krimet e luftës të kryera nga forcat serbe kundër shqiptarëve të Kosovës po vazhdon”, ka shtuar Hoxhaj në profilin e tij në Twitter.

Kallxo.com ka raportuar dje se Gjykata e Lartë në Beograd e ka dënuar ish-oficerin e Ushtrisë jugosllave, Rajko Kozlina, me 15 vjet burg për vrasjen e civilëve shqiptarë në fshatin Tërnje të Suharekës më 25 mars 1999, përderisa ka shpallur të pafajshëm eprorin e tij, Pavle Gavriloviq.

Gjykatësja Mirjana Iliq tha gjatë shpalljes së aktgjykimit se Kozlina udhëhoqi njësinë e tij drejt fshatit, ku së paku 31 civilë shqiptarë u vranë, por shtoi se nuk është dëshmuar se Gavriloviq dha urdhër që “nuk duhet të ketë të mbijetuar”.

“Gjykata gjen se akuzat ndaj Gavriloviqit nuk mbështeten në dëshmi”, tha Iliq gjatë leximit të aktgjykimit.

Trupi gjykues tha se urdhri për të mos lënë të mbijetuar “mund të mos jetë dhenë” dhe e liroi Gavriloviqin, atëherë komandant i batalionit i Brigadës së 549-të të Motorizuar të Ushtrisë jugosllave.

Kozlina u dënua për shkak se kishte qëlluar civilët Maliq Voci dhe Nexhat Bytyqi, të cilët kanë mbijetuar, dhe për urdhrin dhenë ushtarëve që të hapin zjarr në civilët e tjer në fshat, duke shkaktuar vdekjen e 15 njerëzve.

Ky aktgjykim mund të apelohet.

Në mesin e viktimave kishte persona të moshuar dhe një djalë 4-vjeç.