Kryeshefi ekzekutiv i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha në konferencë për shtyp, Foto: KALLXO.com

Hoxha: Punëtorët e Postës pa paga shkaku i qeverisë

Kryeshefi ekzekutiv i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha ka deklaruar se greva nga punonjësit e Postës së Kosovës është duke vazhduar për shkak të mosekzekutimit të pagave e cila ka ardhur si pasojë e mos pagesës së 5 milionë eurove të humbjeve nga shërbimi universal postar prej Qeverisë së Kosovës.

“Qe dy ditë jemi në situatë më të jashtëzakonshme si pasojë e mosekzekutimit të pagave. Ne sot iu kemi thirrë që të sqarojmë problemin, muaj më parë, në mars më saktësisht kemi thënë që nëse nuk kryhet pagesa e humbjeve të shërbimit universal postar nga Qeveria ne nuk do të mund t’i ekzekutonim pagat, dhe ky moment ka ardhur”, ka deklaruar Hoxha.

Kryeshefi ekzekutiv i Postës në konferencën për shtyp ka thënë se Posta e Kosovës e ka quar rastin tek përmbaruesi privat e më pas edhe në Gjykatën Themelore, dhe të dyja e kanë obliguar qeverinë  që t’i paguaj humbjet.

“Ne e kemi dërguar te përmbaruesi privat dhe ai e ka obliguar qeverinë me i mbulu humbjet, pas ankimimit në Gjykatën Themelore, edhe ajo e ka obliguar qeverinë me i mbulu humbjet”, është shprehur Hoxha.

Hoxha ka deklaruar se gjatë dy ditëve të grevës kanë pasur telefonata pa fund nga institucionet e ndryshme të cilat kanë kërkuar dërgesat e tyre.

Madje ai ka theksuar se nuk ka asnjë kompani tjetër që e ofron shërbimin universal postar më lirë se Posta e Kosovës, me vetëm 40 cent.

“Këto dy ditë kemi pasë kërkesa për t’i dërguar dërgesat nga shumë institucione, se me këtë çmim prej 40 cent nuk e ofron asnjë shërbim tjetër. Çdo situatë e tillë krijon një klimë jo të mirë dhe një imazh jo të mirë për ndërmarrjen. E kemi thënë që kërkesat janë të drejta dhe të ligjshme”, ka thënë ai.

Hoxha është shprehur se Posta e Kosovës është e vetmja ndërmarrje e cila ka planin konkret se si duhet të dilet nga kriza.

Ai ka potencuar se njëri nga problemet që e privon Postën e Kosovës të bëj punën e saj është edhe shpërndarje e faturave të shërbimeve publike nga KEDS, kompanitë e ujësjellësit dhe ato të mbeturinave e jo nga Posta e Kosovës.

Sipas Hoxhës këto kompani shkelin të drejtën për mbrojtjen e të dhënave personale të konsumatorëve  dhe i shkaktojnë humbje Postës së Kosovës mbi 400 mijë euro në muaj.

“I kemi drejtuar me një shkresë qeverisë dhe ministrive përkatëse, që faturat të dërgohen përmes postës. Në vendet e rajonit, në Maqedoni, Serbi, Shqipëri e vendet e tjera europiane e botërore, faturat e shërbimeve publike shpërndahen nga shërbimi postar. Mbi 400 mijë euro në muaj humbje për shkak se faturat e shërbimeve publike shpërndahen nga kompanitë që nuk janë të licencuara. Faturat e shërbimeve publike duhet të shkojnë të zarfuara”, ka deklaruar ai.

Kryeshefi ekzekutiv i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha ka përmendur në konferencë edhe një problem tjetër.

Sipas tij rregullorja e BQK së i obligon bankat që një herë në vit të dërgohen të dhënat e llogarisë me email ose përmes postës,

“Por ata i dërgojnë përmes sms-ve. Nëse postës i lejohet zbatimi i ligjit iu garantojmë që Posta do ta kryejë punën”, ka shtuar Hoxha.

Po ashtu Hoxha ka përmendur që Telekomi i Kosovës gjenden me qera në zyret tyre dhe i kanë 350 mijë euro borxh ndaj Postës së Kosovës.

“Vonesa e pagave punëtorëve tanë ka ardhur edhe nga kjo”, është shprehur Hoxha.

A duhet me pasë rikonfigurim të postës se 80 për qind shkojnë në paga?

Në pyetjen sa duhet të ketë rishikim të shpenzimeve në Postën e Kosovës për shkak se rreth 80 për qind të shpenzimeve në këtë ndërmarrje shkojnë për paga, Hoxha është shprehur se Posta është e vetmja ndërmarrje që i ka zbritur pagat dhe ku paga mesatare është rreth 700 euro.

“Është e vërtetë që kemi rreth 80 për qind që shkojnë në paga. Në 2017 kemi qenë rreth 32 mijë euro fitim neto pa zhvlerësim dhe amortizim nga 2.5 mil negativ sa kanë qenë në vitin 2013”, ka thënë Hoxha.

Sejdi Hoxha ka deklaruar se këtë vit do të dalin në pension rreth 21 punonjës dhe se gjatë vitit 2018, Posta e Kosovës nuk e ka marrë në punë asnjë punonjës.

“Kemi kërkesa nga zyrat regjionale për staf por kemi kujdes në këtë. Në vitin 2018 hala nuk e kemi marrë asnjë në punë”, është shprehur ai.

Kurse sa i përket qirave të zyreve postare nëpër Kosovë, Hoxha ka thënë që asnjë zyre nuk paguan qera më shumë se 350 euro.

“Nuk kemi zyrë postare që e marrim me qira e që kalon mbi 350 euro. Krejt zyrat postare në Kosovë i kushtojnë rreth 7 mijë euro në muaj Postës së Kosovës”, ka përfunduar Hoxha.