Foto arkivi nga një gjykim i mëhershëm i Hysni Hoxhës | Foto: KALLXO.com

Hoxha: Nuk Kam Kryer Vepër Penale

Gjatë fjalës përfundimtare në gjykimin ku akuzohet për shpërdorim detyre ngase nuk shqyrtoi ankesat e dy operatorëve rreth një tenderi të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), ish-drejtuesi i Organit Shqyrtues të Prokurimit Hysni Hoxha veten e konsideroi të pafajshëm.

“E mbështes fjalën përfundimtare të avokatit, unë në asnjë mënyrë nuk kam kryer ndonjë vepër penale,” tha në fjalën përfundimtare Hoxha.

Avokati i tij Sahit Bibaj që fjalën përfundimtare e dorëzoi të shkruar tha se gjykimi nuk ka vërtetuar fajësinë e Hoxhës.

“Gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk është vërtetuar se i akuzuari është fajtor për veprën që është akuzuar,” tha Bibaj, duke i kërkuar gjykatës lirim të Hoxhës.

Por prokurori i Prokurorisë Speciale Haki Gecaj kërkoi të kundërtën-dënimin e Hysni Hoxhës.

“I pandehuri ka shkelur shumë dispozita të ligjit të prokurimit publik. I akuzuari është penalisht përgjegjës dhe propozoj që të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit,” tha Gecaj.

Gjykata do të vendosë për dënimin ose lirimin e Hoxhës më 23 dhjetor.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, Hoxha si kryetar i OShP-së i tejkaloi kompetencat e tij ligjore ashtu që më 3 tetor 2014  dhe 9 tetor 2014 në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik dhe Rregulloren e Punës së OShP-së  me  konkluzionin se është “res judicata” [e gjykuar më parë], pa i shqyrtuar i ka refuzuar ankesat e disa operatorëve ekonomikë të datës 2 tetor 2014.

Bëhet fjalë për ankesat e konzorciumeve “Caraglio SRL” dhe NTSh “Electra” të ushtruara kundër vendimit të autoritetit kontraktues KOSTT lidhur me aktivitetin e prokurimit “Instalimi i Grupeve Matëse në Kufirin në mes të KOSTT (KEK) OSSh,  edhe pse për këtë ankesë kompetent për vendosje sipas aktakuzës ishte paneli shqyrtues i OShP-së në përbërje prej 5 anëtarëve.

Lidhur me këtë aktivitet prokurimi fillimisht ishte raportuar në KALLXO.com, ndërsa   emisioni “Jeta në Kosovë”  kishte bërë një emision në tetor të vitit të kaluar ku të ftuar ishin drejtori i prokurimit në KEDS, Hysni Hoxha si kryetar i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP) dhe Lutfi Gashi përfaqësues i “Electra-s”.

http://kallxo.com/kostt-paguan-400-mije-euro-me-shume-per-nje-tender/

Vlera e këtij aktiviteti të prokurimit ishte 2,327,240 euro.

KOSTT-i kishte nisur më 2012 projektin e instalimit të grupeve matëse në kufirin mes KOSTT-it, Korporatës Energjetike dhe OSSh-së që është korporata publike e shpërndarjes së energjisë në Shqipërisë.

Prej 2012-ës e deri në shtator të vitit 2014 ky tender është anuluar katër herë dhe është përcjellë me akuza për parregullsi.

Dy tenderë janë anuluar me arsyetimin e KOSTT-it se ka pasur më pak se dy oferta të përgjegjshme, i treti është anuluar me kërkesë të Agjencisë Kundër Korrupsion, ndërsa herën e katërt është anuluar me vendim të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

KOSTT-i së fundi më 22 shtator të vitit 2014 shpalli fitues konzorciumin NP “Monten& G3 Inxhinjering” përfaqësues i së cilës është Nexhmi Kastrati. Kjo kompani ofertoi me 2 milionë e 327 mijë euro për kryerjen e kësaj pune.

Ndërsa më 4 nëntor 2014 është nënshkruar kontrata mes KOSTT-it dhe këtij konzorciumi. Për këtë aktivitet prokurimi ishte ankuar kompania “Electra”.

Prokuroria i nisi hetimet për këtë tender të KOSTT-it në prill të vitit të kaluar.

Prokuroria Heton Tenderin Milionësh të KOSTT-it