Hoti: Vetëm Lista Finale u Sjell Veteranëve Përfitimet që u Takojnë

Ministri i Financave Avdullah Hoti ka njoftuar deputetët e Kuvendit të Kosovës se fondi për veteranët është pjesë e buxhetit. Sipas tij, ndarja e këtij fondi do të bëhet kur të rishikohen dhe finalizohen listat në përputhje me ligjin.

“Fondi për veteranët është pjesë e buxhetit të rishikuar dhe votuar në Kuvend. Ai fond është aty dhe sapo të finalizohet lista, unë jam në kontakt me kryetarin e Komisionit, sapo të finalizohet lista në përputhje me ligjin ku thuhet se pas listës finale Ministria e Financave ulet me Qeverinë e aprovon nivelin e përfitimeve”, tha Hoti.

Kjo përgjigj erdhi pasi që deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj kërkoi sqarim nga ministri i Financave rreth, siç i quajti ai, thashethemeve se ky fond është devijuar dhe është dërguar në destinim të ri.

“Ka shumë thashetheme nëpër media se fondi i veteranëve është devijuar dhe është dërguar në një destinim të ri. A mundësh vetëm një shpjegim për opinionin publik dhe ata që e shikojnë televizionin, se a është e vërtetë, a qëndron a nuk qëndron?”, pyeti deputeti Haradinaj.