Hoti: T’u ndihmojmë të kthyerve nga Siria që të integrohen

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti u ka bërë thirrje institucioneve, familjarëve dhe shoqërisë që të angazhohen në integrimin e të kthyerve nga Siria.

Në rrjetin social Facebook, Hoti ka shkruar se si institucione nuk kemi përvojë në këtë drejtim dhe se kjo do të jetë sfidë e vështirë.

“Na duhet përkushtim dhe angazhim i institucioneve, komunitetit dhe familjarëve, në mënyrë që integrimi i këtyre personave të jetë më i lehtë. Vendimin për të pranuar kthimin e tyre në Kosovë duhet parë si nevojë dhe obligim për bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë në tejkalimin e situatave të krijuara nga terrorizmi dhe radikalizmat.”, ka shkruar Hoti.

Më tej ai ka shtuar se për të kthyerit, fëmijët dhe gratë në veçanti, ‘e kemi obligim si shoqëri që të ofrojmë një ardhmëri më të mirë’.

Mbrëmë (19 prill) janë kthyer nga Siria, 110 shtetas kosovarë, ku 3 burra janë të ndaluar, një i mitur është në paraburgim, ndërsa 32 gra e 74 fëmijë qëndrojnë te Qendra e Azikkërkuesve në Vranidoll të Prishtinës.