Hoti Shpjegon Qëllimet e Pakos Fiskale 2.0

Ministri i Financave Avdullah Hoti dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Hykmete Bajrami sot mbajtën takim me Këshillin e Investitorëve Europianë për pakon fiskale 2.0.

Ministri Hoti tha se kjo pako është dizajnuar me qëllim të përmirësimit të mjedisit të të bërit biznes.

“Kjo pako është dizajnuar  me qëllim të përmirësimit të mjedisit të të bërit biznes, duke i paraprirë në këtë mënyrë një rritjeje më të qëndrueshme ekonomike dhe përmirësimit të mirëqenies për qytetarët e vendit,” tha ministri Avdullah Hoti.

Vitin e kaluar në raportin e Bankës Botërore të të bërit biznes Kosova u rendit e 60-ta në mesin e 189 shteteve që janë pjesë e këtij raporti.

http://kallxo.com/kosova-shenon-progres-ne-te-berit-biznes/

Pakoja fiskale 2.0 u miratua në qeveri në dhjetor të 2016-ës.

Shpend Balija, drejtor ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Europianë tha se për këtë këshill është shumë e rëndësishme përkrahja që ministria synon t’u bëjë investimeve me pakon 2.0.

Para Këshillit të Investitorëve Europianë Hoti tregoi përmbajtjen e kësaj pakoje.

Sipas Hotit, pakoja fiskale 2.0 zgjeron listën e lëndëve të para që lirohen nga tatimi doganor, heq akcizën për mazut, ndryshon dhe plotëson listën e produkteve të cilave u hiqet, ose u reduktohet në tetë për qind Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, aplikon pushimin tatimor, nxjerr akte legjislative për vendosjen e banderolave në paketimet e miellit dhe për kushtet e caktuara nën të cilat pranohen humbjet nga prishja, avullimi apo humbja e peshës së naftës dhe produkteve të saj dhe krijon kode të reja doganore për disa produkte duke u bazuar në praktikat e BE-së.

Pakoja fiskale 2.0 u paraqit në fillim para Klubit të Prodhuesve Vendorë para gati dy javësh, ndërsa të premten që shkoi për këtë pako ministri Hoti e ministrja Bajrami diskutuan me zyrtarë të Odës Ekonomike të Kosovës dhe përfaqësues të bizneseve.

http://kallxo.com/mielli-banderola-ne-pakon-e-dyte-fiskale/

http://kallxo.com/pakoja-e-dyte-fiskale-para-odes-dhe-bizneseve/

Ministri Hoti gjatë diskutimeve për këtë pako tha se me të janë krijuar kushtet për aplikimin e pushimeve tatimore- një lirim nga tatimi i bizneseve për një kohë të caktuar në varësi nga kriteret që këto biznese plotësojnë.

Për pushimet tatimore diskutimet nisën që gati një vit, por sipas Hotit ato nuk u aplikuan për shkak të ndikimeve që mund të kishin në buxhet.

http://kallxo.com/ndikimi-ne-buxhet-vonoi-pushimet-tatimore/

Redaktoi: Bekim Muhaxheri