Foto: Zyra e Presidentit

Hoti publikon intervistën e Blerim Shalës me Ibrahim Rugovën për ta demantuar Thaçin

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka thënë se idenë për korrigjim të kufijve e ka marrë nga ish-presidenti, Ibrahim Rugova.

Ai një postim në profilin e tij në Facebok tha se Rugova e ka refuzuar kategorisht këtë ide, duke e publikuar edhe një intervistë të bërë me këshilltarin politik të Thaçit, Blerim Shala.

Intervista, sipas Hotit, ishte zhvilluar në vitin 2004 në të përditshmen “Zëri”, gazetë e cila drejtohej nga vet Blerim Shala.

“Presidenti Rugova e ka refuzuar kategorikisht idenë e ndarjes territoriale të Kosovës. Kjo është e vërteta. Presidenti aktual nuk mund të thirret në deklarimet e Presidentit Rugova për të përligjur aktet e veta kundër kushtetuese. Lexoni në vijim se cfarë thotë Presidenti Rugova në një intervistë për gazetën “Zëri”, të cilën e ka zhvilluar këshilltari aktual i Presidentit Thaci, z.Blerim Shala në vitin 2004. Le ta pyet z.Shala, të cilin e ka në zyre”, tha Hoti.

 

 

Presidenti Thaçi sot ka qenë i ftuar në një konferencë të organizuar nga Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe Zhvillim me temën ‘Zëri i Popullit rreth ‘Finales së Madhe’.

Ai ka thënë se për idenë e korrigjimit të kufijve kanë folur edhe ish presidenti Ibrahim Rugova, Nexhat Daci e Lufti Haziri.