Avdullah Hoti - Foto: KALLXO.com

Hoti: Nuk do ta Lejojmë Këtë Qeveri të Kthejë Kosovën Prapa

Kryetari i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, tha sot në seancën e jashtëzakonshme se është e pafalshme që 18 vjet pas luftës të kthehet ndikimi plotë i Beogradit në vendimmarjen e institucioneve të Kosovës.

“Qytetarët e Kosovës nuk do t’ua falin këtë njerëzve që thirren në heroizma e bëjnë pazare me Beogradin… Disa nga këta janë bërë pjeë e historisë së turpshme”, theksoi ai.

“LDK nuk do ta lejojë këtë Qeveri të kthejë Kosovën prapa”, shtoi Hoti, duke e paralajmëruar Qeverinë Haradinaj se do të përballet me opozitë që nuk është parë më parë.

Në Kuvendin e Kosovës u diskutua rreth parimeve programore të Qeverisë.

Vendimi për seancën e jashtëzakonshme u mor nga Kryesia e Kuvendit të Kosovës, e cila e shqyrtoi kërkesën e grupeve parlamentare të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të LDK-së për mbajtje të seancës së jashtëzakonshme.

Vetëvendosje dhe LDK kërkuan dje që një mbledhje e jashtëzakonshme të mbahet sot në ora 12:00, për shkak të mungesës së debatit në seancën e 9 shtatorit lidhur me parimet programore të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Gjatë seancës së djeshme, tashmë kryeministri Ramush Haradinaj në fillim të mbledhjes ku do të votohej Qeveria e drejtuar prej tij, tha se ka përgatitur vetëm disa orientime programore, duke premtuar se “në të ardhmen do të përgatitet një program qeveritar”.

Ndryshe, Ramush Haradinaj është zgjedhur dje kryeministër i Kosovës.

Qeveria e drejtuar prej tij mori 61 vota për dhe një abstenoi.

Në momentin e votimit, deputetët e Vetëvendosjes, të LDK-së dhe Alternativës e kanë lëshuar sallën.

Ndërkohë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka ndërprerë seancën e jashtëzakonshme me kërkesën e kryetarit të grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hotit.

http://kallxo.com/nderpritet-seanca-e-jashtezakonshme/