Hoti komenton iniciativën e presidentit Thaçi për Rezolutën për Luginën e Preshevës

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka komentuar iniciativën e presidentit Hashim Thaçi për Rezolutën për Luginën e Preshevës të cilën ky i fundit ia ka dërguar kryeparlamentarit, Kadri Veseli.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Hoti nuk ka treguar nëse LDK-ja do ta votojë këtë rezolutë por ka sugjeruar presidentin Thaçi që të qëndroj brenda kompetencave të tij kushtetuese.

“Presidenti i vendit duhet të qëndrojë në kuadër të kompetencave të tij kushtetuese. Kuvendi i Kosovës, si institucioni më i lartë i vendit, po merret me këtë çështje”, ka thënë Hoti për KALLXO.com.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka publikuar draft-rezolutën për Luginën e Preshevës të cilën ia ka dërguar kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli. Thaçi ka listuar disa prej arsyeve për këtë rezolutë ndërsa ka kërkuar nga deputet e Kuvendit të Kosovës që ta votojnë atë. Rezoluta e propozuar nga Presidenti i Kosovës obligon institucionet e vendit që të respektojnë vullnetin politik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës për bashkimin me Kosovë.

Pikërisht për çështjen e Luginës së Preshevës Kuvendi i Kosovës ka mbajtur një seancë të jashtëzakonshme në të cilën është propozuar një rezolutë nga vet deputet por që në mungesë të kuorumit nuk ka arritur të votohet.