Avdullah Hoti LDK

Hoti: Koalicioni PAN i bashkuar vetëm në sulmet ndaj LDK-së

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, tha sot se sulmet e koalicionit PAN, ndaj partisë së tij dita ditës po shtohen.

“Ditëve të fundit janë shtuar sulmet kundër LDK-së dhe kjo është pika e vetme ku koalicioni PAN është unik. Mirëpo ata, tani edhe me PSD nën sjetull, nuk janë unik as në strategjinë qeverisëse, as në raportet me aleatët tanë, e as në dialog me Serbinë”, ka shkruar ai në një postim në profilin e tij në Facebook.

Ai tha se pavarësisht kësaj LDK-ja nuk do t’i ndryshojë qëndrimet karshi dialogut.

“Lajmi i keq për këtë pozitë pa legjitimitet është se LDK nuk ka ndryshuar qëndrimet dhe si duket kjo po ju pengon atyre, prandaj kanë intensifikuar përhapjen e të pavërtetave. Ne jemi këtu dhe sa herë e shohim të nevojshme do ta përsërisim se jemi për dialog, por nuk bëhemi pjesë e kësaj maskarade. Ne nuk dialogojmë për ta ribërë shtetin e Kosovës, por punojmë që ta forcojmë dhe demokratizojmë atë”, ka shtuar Hoti.