Foto: Facebook

'Hortikultura' për 4 vjet pa Komision të auditimit

Auditori ka gjetur se Ndërmarrja Publike “Hortikultura”, në të cilën është aksionare Komuna e Prishtinës nuk ka pasur Komision të auditimit nga viti 2014 deri në shtator të vitit 2018.

Për katër vjet me radhë “Hortikultura” ka qenë pa Bord të drejtorëve dhe pa Komision të auditimit.

Sipas Ligjit për ndërmarrje publike, kërkohet që ndërmarrja të ketë komisionin e auditimit i cili ka autorizimet e veta që burojnë nga ligji për miratimin e planeve dhe mbikëqyrjen e punëve të Njësisë për Auditim të Brendshëm.

Në raportin e auditimit për vitin 2018 thuhet se mungesa e Bordit dhe Komisionit të auditimit ka reflektuar, përveç tjerash, tek rishikimi dhe miratimi i planeve vjetore të auditimit të brendshëm.

“Megjithatë, auditori i brendshëm kishte hartuar planet e auditimit duke bërë përpjekje të bazohet në rreziqet që i ka ndërmarrja, mirëpo këto plane ishin të pa miratuara nga komisioni i auditimit”, thuhet në raport.

Në mungesë të Komisionit, dhe raportet e auditimit të brendshëm kishin mbetur pa u shqyrtuar. Komisioni i aksionarëve e kishte themeluar Komisionin e auditimit në shtator 2018.

Sipas Auditorit, mungesa e gjatë e formimit të bordit të drejtorëve dhe e komisionit të auditimit kishte ndikuar në dobësimin e kontrolleve të brendshme dhe në adresimin e përgjegjësive lidhur me menaxhimin financiar dhe kontrollin.

“Kryesuesi i Bordit për të arritur përfitimin maksimal nga aktiviteti i auditimit të brendshëm, përmes komisionit të auditimit duhet të rishikoj në mënyrë kritike planet e auditimit të brendshëm për të konfirmuar se ato bazohen në rrezik dhe që përfshijnë edhe aktivitetet e vitit aktual. Po ashtu, të gjitha raportet e auditorit të brendshëm të shqyrtohen dhe merren veprimet konkrete për adresimin e rekomandimeve për t’i ndihmuar menaxhmentit të ndërmarrjes në arritjen e qëllimeve dhe objektivave të saj”, thuhet në rekomandimin e Auditorit.